Ekonomia greke ka shfaqur befasinë e parë gjatë këtyre kohëve të fundit, duke iu rikthyer rritjes në tremujorin e dytë të këtij viti, pavarësisht problemeve politike dhe kërcënimit për një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona.
Lajmi vjen pas publikimit të të dhënave ekonomike gjatë së enjtes, duke i dhënë kështu një tjetër shtysë pozitive kryeministrit Alexis Tsipras dhe qeverisë së majtë të drejtuar prej tij. Të dhënat e rishikuara treguan gjithashtu se Greqia nuk ka pasur as rritje dhe as rënie të prodhimit kombëtar gjatë tremujorit të parë, ndryshe nga sa ishte raportuar më herët për një tkurrje prej 0,2 për qind.
Këto të dhëna tregojnë se vendi nuk ka rënë në recesion në fillim të këtij viti, siç ishte besuar, për shkak të kundërshtimeve të ashpra fillimisht nga qëndrimi i “vijës së ashpër” të Tsiprasit kundër masave shtrënguese të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB/GDP) është rritur me 0,8 për qind gjatë tremujorit Prill-Gusht, bazuar në vlerësimet e rishikuara sezonalisht nga shërbimi i statistikave ELSTAT.
Ende nuk është publikuar asnjë e dhënë se çfarë ka ndikuar në këtë rritje, pasi këto shifra janë paraprake, por, analistët thonë se disa sektorë, siç është turizmi – një shtyllë bazë e ekonomisë greke, – ka shfaqur aftësinë për të përballuar pasigurinë që rrodhi pas muajsh të tërë të ngecjes së bisedimeve me huadhënësit ndërkombëtarë.
“Disa tregues të aktivitetit ekonomik gjatë tremujorit të dytë, përfshi konsumin, prodhimin industrial dhe turizmin, kanë treguar elasticitet të veçantë”, thotë ekonomisti Nikos Magginas, i Bankës Kombëtare. “Kjo shpjegon shifrat surprizë të tremujorit të dytë të GDP-së”. Ai shtoi se këto të dhëna ndihmojnë në pasjen e një parashikimi më optimist për vitin në tërësi, duke e bërë “më realiste” perspektivën e një tkurrjeje të përgjithshme prej më pak se 2 për qind për vitin 2015.
Sipas skenareve aktuale, mbi të cilat autoritetet greke nënshkruan një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtare për ndihmën e tretë të shpëtimit, ekonomia greke pritet të tkurret me 2,1 deri në 2,3 për qind gjatë këtij viti. Ekonomia greke doli nga recesioni 6-vjeçar në vitin 2014, por rezultoi sërish me negativitet në tremujorin e fundit të vitit të kaluar për shkak të ndryshimit të qeverisë.
/ Top Channel