
Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza ka konfirmuar se ka pasur diskutime me partitë e tjera opozitare për formimin e Qeverisë së re.
Por Hamza ka thënë se me disa parti nuk kanë arritur deri në atë fazë sa të diskutojnë se si do të duket formula e Qeverisë së re të Kosovës.
Ai këtu përmendi Lidhjen Demokratike të Kosovës, teksa e bëri të qartë se PDK-ja është partia e dytë dhe renditja është e qartë.
Ai tha se çdo vonesë në konsiotuimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë është e paarsyeshme dhe e dëmshme për vendin.
“Tani jemi në një fazë ku vendi duhet t’i ketë institucionet. E kam mbështetjen e plotë të partisë për biseda me partitë e tjera për me e kriju Qeverinë e Republikës së Kosovës nëse radha kalon te ne. Çdo vonesë në konsiotuimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë është e paarsyeshme dhe e dëmshme për vendin.
Unë edhe gjatë fushatës e kam thënë që vijat e kuqe nuk i preferoj. Sa i përket bisedave, po, jemi në bisedime dhe asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike apo politikan në Kosovë nga ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë, jemi në biseda edhe me LDK-në, edhe AAK-në dhe Nismën, por nuk kemi mbërri ende deri në atë fazën se qysh duhet me u dokë formula e qeverisë, por jemi duke biseduar. Nëse vjen radhe unë jam shumë i përgjegjshëm dhe i përkushtuar që vendit me i dhënë institucione. Nuk kemi mbërri ende në atë fazën për me diskutU për ndarjen e posteve.
PDK e ka bërë të qartë, unë e vlerësoj shumë votën e qytetarit…Megjithatë renditja është e qartë, PDK është partia e dytë me 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pasë ende temë se si ka me u dokë qeveria e re. Radha dihet dhe mbi bazën e kësaj do të diskutojmë.
Me disa parti politike thuajse jemi në rregull, ku flasim edhe për formulën e komponimit të Qeverisë, ndërsa sa u përket disa të tjerave, e thashë edhe me LDK-në, ende nuk jemi në atë fazë ku do ta diskutojmë formulën e Qeverisë”, tha Hamza në një konferencë për media.
Hamza tha se nuk i preferon vijat e kuqe dhe konfirmoi se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me VV-në për formimin e Qeverisë së re.
“Me VV-në nuk kemi pasur deri më tani asnjë komunikim zyrtar. Nuk kemi pranu ftesë dhe as nuk kemi bë ftesë sepse radha dihet. Për mua është e preferueshme krijimi i Qeverisë me LDK-në dhe partitë e tjera”, tha Hamza në një konferencë për media.