Pep Guardiola mbetet një figurë e dyzuar mes tifozëve të Bayernit. Edhe pse ka fituar dy tituj radhazi në Bundesliga,trajneri spanjoll nuk ka mundur t’iu shpëtojë kritikave të fansave bavarezë, kjo edhe sepse mori një trashëgimi të rëndë nga Jup Heynckes i cili arriti triumfin e trefishtë historik në 2013, duke fituar Championsin, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Një këshillë për sa i përket marrëdhënies me tifozët Guardiolës ja jep legjenda e Bayernit, Franz Beckenbauer. Sipas Kaizarit, e vetmja rrugë që ai të bëhet i dashur për gjithë tifozët është fitimi i trofeve.
“Dashuria është gjëja më e madhe që dikush mund të fitojë në jetë, – deklaroi Beckenbauer duke shtuar, – Guardiola do të ndiejë dashurinë e tifozëve kur të fitojë trove. Nëse nuk fiton tituj, dicka që vështirë se mund të ndodhë sipas meje, atëherë dashuria e tifozëve do të kthehet në afeksion”.
Pas dominimit që Bayerni i ka bërë Bundesligës me Guardiolën në dy edicionet e fundit Beckenbauer mendon se bavarezët përballen me një mision të vështirë për të ruajtur këtë hegjemoni edhe në sezonin 2015-2016.
” Bundesliga do të jetë shumë më e rivalizuar se në dy vitet e fundit, – deklaroi Beckenbauer, – Wolfsburgu ka treguar se mund të luftojë për objektivat maksimalë, Dortmundi do të kthehet sërish sezonin e ardhshëm dhe unë shpresoj që edhe Schalke të jetë sërish e fortë. Do të ketë më shumë rivalë për titullin e Bundesligës”.