Bashkimi Evropian po përgatitet për një kundërpërgjigje nga Kina pasi unioni votoi të premten për t’i vendosur tarifa makinave elektrike që importohen nga Kina, për të cilat Brukseli thotë se marrin subvencionim të padrejtë nga shteti kinez. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ka spekulime se Pekini mund të hakmerret ndaj vendeve evropiane që votuan në favor të këtyre tarifave.
Është fundi i sezonit të vjeljes së rrushit me të cilin prodhohet konjaku në Francën juglindore. Por, atmosfera nuk është festive.
Mbi një e treta e të gjithë konjakut të prodhuar, eksportohet drejt Kinës.
Fermerët mendojnë se mund të përjetojnë së shpejti hakmarrjen e Pekinit, pasi Bashkimi Evropian votoi për të rritur tarifat ndaj makinave elektrike që importohen nga Kina.
“Mund të na vendosin që nesër një tarifë importi prej 40%, që mund të vërë në rrezik ekzistencën tonë në këtë treg”, thotë Anthony Brun, nga Bashkimi i Përgjithshëm i Prodhuesve të Konjakut.
Franca ishte ndër vendet e BE-së që kërkuan me ngulm vendosjen e tarifave ndaj makinave elektrike kineze, pasi një hetim njëvjeçar arriti në përfundimin se Kina jep subvencionime të padrejta për këtë sektor.
Prodhuesit e konjakut thonë se po sakrifikohen eksportet e tyre.
“Duke qenë se Franca kryeson për këtë politikë, ata do të kërkojnë të godasin një produkt që i përket Francës ekskluzivisht”, thotë zoti Brun.
Gjermania, vendi me ekonominë më të madhe në Bashkimin Evropian, votoi kundër vendosjes së tarifave. Firmat gjermane të prodhimit të automjeteve i druhen hakmarrjes së Pekinit.
“Vendimi i tanishëm do të sjellë konflikte të reja tregtare, një spirale proteksionizmi”, thotë Hildegard Mueller, nga Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve.
Kina ka filluar tashmë hetime për importet e mishit të derrit dhe bulmetit nga Evropa. Sidoqoftë, Brukseli dhe Pekini thonë se po vazhdojnë negociatat për të gjetur një kompromis.
“Përfundimisht është tregu evropian që ofron hapësirën më të madhe për eksportet e makinave elektrike kineze. Pra, Kina ka nevojë për BE-në po aq sa ç’na duhet neve Kina. Prandaj mendoj se do të ketë një kundërpërgjigje më “miqësore”,” thotë Julia Poliscanova, nga Grupi i Politikave Mjedisore dhe të Transportit.
Bashkimi Evropian thotë se tarifat e reja do të mbrojnë industrinë e makinave evropiane – sektor ku punësohen 14 milionë njerëz. BE-ja mendon se tarifat nuk shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Tarifat variojnë sipas kompanive dhe bazohen tek nivelet individuale të subvencionimit. Dhe mendoj se kjo i bën të jenë në përputhje me rregullat e OBT-së”, thotë zonja Poliscanova.
Në gusht, Shtetet e Bashkuara katërfishuan tarifat ndaj makinave elektrike të importuara nga Kina. Kanadaja vendosi një nivel të ngjashëm në tetor, së bashku me tarifat për disa lloje metalesh.
Kina i ka apeluar masat e reja të Kanadasë në Organizatën Botërore të Tregtisë. /VOA