Në Bruksel po zhvillohet një takim për kontrollin e armëve të zjarrit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e trafikimit të tyre.
Duke folur në këtë takim, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tërhoqi vërejtjen se rreziku nga këto armë nuk është vetëm në teori, por i vërtetë.
Borrell, duke iu referuar rasteve të vrasjeve në Serbi, tha se është e gabuar të mendohet se gjëra të tilla nuk mund të ndodhin në Evropë, sepse, siç tha ai, ato po ndodhin.
“Në mënyrë që rastet e tilla të ndodhin, kryesit e veprimit duhet të kenë qasje në armë, që bën që kjo konferencë të tërheqë edhe më shumë vëmendje dhe interes. Sepse rastet e tilla dramatike na rikujtojnë se sa e rëndësishme është që të punojmë së bashku për të luftuar trafikimin e armëve të lehta”, tha Borrell.
Ai nënvizoi se është detyrë e të gjithëve që ta bëjnë Evropën më të sigurt në këtë kohë sfidash.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së përshëndeti edhe fushatën e mbledhjes së armëve që ka nisur Qeveria e Serbisë pas rasteve tragjike, dhe tha se BE-ja e mbështet këtë fushatë.
Ai, po ashtu, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të gjerë nga ana e BE-së, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian, Këshillin, Shërbimin e Jashtëm dhe Presidencën suedeze, për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor që të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve, në mënyrë që të ndihmojë “në paranadalimin e kontaminimit të të gjithë Evropës”.
Shpesh, shërbimet e vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se sasi të mëdha të armëve ilegale vijnë në tregun e BE-së pikërisht nga rajoni i Ballkanit dhe rrjetet e krimit të organizuar nga këto vende janë aktive në BE.
“Të gjithë e dimë se ky aktivitet, trafikimi ilegal i armëve, paraqet një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin tonë. Është një kërcënim i shumëfishtë që ndikon në stabilitetin e rajonit dhe rrit rrezikun edhe nga sulmet terroriste”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së duke shtuar se “nuk mund të ketë një Bashkim Evropian të sigurt pa pasur një Ballkan Perëndimor stabil, të fuqishëm dhe në paqe”.
Bashkimi Evropian ka investuar deri tani 38 milionë euro vetëm në ndihmë për aktivitetet e kontrollit të armëve të lehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Problemi është shumë i thellë, shumë i madh, në mënyrë kronike godet shoqëritë e Ballkanit Perendimor, dhe ne duhet të jemi të vendosur për të vazhduar luftën tonë kundër aktiviteteve të tilla, të vazhdojmë investimet dhe angazhimin për t’u ndihmuar këtyre vendeve për ta zgjidhur këtë problem. Besoj se ne, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, ndajmë të njëjtin përkushtim për këtë”, theksoi Borrell.
Në këtë takim foli edhe komisionerja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johansson, e cila po ashtu nënvizoi rëndësinë e masave për të parandaluar trafikimin ilegal të armëve në rajon.
Ajo, po ashtu, mirëpriti veprimet e autoriteteve në Serbi për grumbullimin e armëve pa leje. /REL/