Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i ka ftuar kryenegociatorët e dy palëve që të vazhdojnë takimet për çështjen e dinarit, në Bruksel.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media.
“Ata do të takohen këtë të mërkurë këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme të përkohshme për njerëzit e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore”, tha ai.
Sipas Stanos, kjo temë po e largon vëmendjen nga progresi i implementimit të aneksit të Ohrit.
“Në secilin takim që ishte për këtë çështje, shpresonim që të ishte i fundit. Pasi këto tema po e largojnë vëmendjen nga ajo që duhet, dhe ajo që duhet është progresi në implementimin e Aneksit të Ohrit”, shtoi Stano,
Ai shpreson në arritjen e një kompromisi të nevojshëm kësaj radhe.
Zëdhënësi i BE-së shton se kjo varet nga gatishmëria e palëve.
“Shpresojmë që palët do të jenë të gatshme të sillen në mënyrë evropiane, dhe të arrijnë kompromisin e nevojshëm. Por sërish, sikur me gjithçka tjetër në dialog, nuk varet shumë nga ajo që ne dëshirojmë, por nga gatishmëria dhe aftësia e dy palëve të arrijnë një kompromis të pranueshëm”, tha Stano.