Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e thellë për dorëheqjen e nëntë policëve serbë të sapo-rekrutuar në Policinë e Kosovës dhe ka dënuar fuqishëm kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin në lidhje me dorëheqjen e nëntë policëve serbë të saporekrutuar të Policisë së Kosovës dhe për kërcënimet me të cilat janë përballur.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të qartë që BE-ja i dënon fuqishëm kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe i ka quajtur ato të papranueshme në çdo rrethanë.
Ai ka theksuar rëndësinë që përbërja e Policisë së Kosovës t’i përfaqësojë dhe shërbejë të gjitha komunitetet në Kosovë.
Përbërja e Policisë së Kosovës, sipas tij, duhet të jetë multietnike dhe duhet të përfaqësojë shoqërinë në tërësi, ndërsa akti i dorëheqjes së këtyre policëve paraqet një sfidë në realizimin e këtij vizioni.
Stano ka shtuar se kërcënimi dhe presioni psikologjik ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Këto sjellje, sipas tij, shkojnë kundër vlerave të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës, të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë, të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur, duke kontribuuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KP.
Zëdhënësi i BE-së ka vënë në dukje se çdolloj kërcënimi apo frikësimi ndaj policëve serbë të Kosovës, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm.
Ai ka theksuar se këto veprime dëmtojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dhe për ndërtimin e një shoqërie të multietnike.
“Çdolloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe akterët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.
Stano ka përfunduar deklaratën duke theksuar se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – kishin dhënë dorëheqje kolektive nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për policë të rinj, duke punësuar 74 prej tyre.
Prej tyre, 46 raportohet se janë nga komuniteti serb.