Brukseli i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian rundin e 11 të sanksioneve lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sanksione që synojnë të parandalojnë shmangien e ndëshkimeve paraprake.
“Kjo paketë do të përqendrohet në zbatimin e sanksioneve, efektivitetin e tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Pjesë e paketës së sanksioneve që KE-ja ka propozuar synojnë ndaljen e eksporteve të teknologjisë së ndjeshme të tetë kompanive kineze, nën dyshimet se këto kompani po shesin teknologji të tillë në Rusi, raporton AFP, që ka parë një dokument të paketës së re të sanksioneve.
Ambasadorët e BE-së të mërkurën do të takohen për të nisur bisedimet për rundin e ri të sanksioneve.
Të 27 shtetet e bllokut evropian kanë goditur Moskën me sanksione të paprecedentë që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Por, shumë diplomatë evropianë kanë thënë se blloku evropian është afër arritjes së limitit, sa i përket masave të gjera që të gjitha anëtarët mund të pajtohen që t’i vendosen Moskës.
Brukseli tani po përqendrohen që të mbyllen zbrazëtirat ligjore në paketat e sanksioneve që veçse janë vendosur.
BE-ja dëshiron që të godasë eksportet e teknologjisë së ndjeshme që bëhen nga shtetet e treta për në Rusi. Ky lloj i teknologjisë mund të përdoret për fushëbetejë, sikurse janë mikroçipat.
Zyrtarët evropianë janë ankuar se shtetet, përfshirë Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe ish-shtetet sovjetike në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, po përballen me sanksione ndaj disa mallrave që ata importojnë.
Në listën e sanksioneve të propozuara nga blloku, për kufizim të eksporteve, janë edhe Armenia, Irani, Uzbekistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Si pjesë e propozimit të ri, BE-ja po synon që të përmirësojë mënyrën se si ndëshkon shtetet që tentojnë të shmangin sanksionet.
Blloku po synon që të krijojë një mekanizëm që do të lejonte kufizimin e eksporteve të disa mallrave nga shtetet e treta, që dyshohen se i shërbejnë Rusisë. /REL/