
Bashkimi Evropian ka propozuar të martën një paketë të 18-të sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar veçanërisht eksportet e naftës dhe sektorin bankar, ndërsa lufta e Moskës në Ukrainë vazhdon.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Bruksel së bashku me kryetaren për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se masat e reja do të godasin kryesisht sektorët e energjisë dhe sektorin bankar rus.
Si pjesë e paketës së re të sanksioneve kundër Rusisë, Bashkimi Europian ka për synim të ulë çmimin tavan të naftës ruse, në mënyrë që të privojë Kremlinin nga fitimet shtesë që financojnë luftën në Ukrainë.
Kallas, ka thënë se blloku “po propozon të ulë çmimin tavan të naftës nga 60 dollarë në 45 dollarë, që është më pak se çmimi në treg, dhe ulja e këtij kufiri do të godasë rëndë të ardhurat e Rusisë.”
Sipas Reuters, Kallas ka shtuar se BE-ja dëshiron gjithashtu të vendosë “sanksione ndaj tubacioneve Nord Stream për të penguar Rusinë që të gjenerojë të ardhura në të ardhmen.
Ndërsa, në sektorin financiar, BE-ja ka propozuar zgjerimin e ndalimit në sistemin SWIFT për 22 banka të tjera ruse dhe zgjatjen e kufizimeve ndaj operatorëve financiarë në vende të treta që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve.
Poashtu është propozuar një ndalim eksporti shtesë në vlerë prej 2.5 miliardë euro, që do të prekë mallra kyçe industrialë, makineri, metale, kimikate dhe teknologji me përdorim të dyfishtë, veçanërisht ato të përdorura në prodhimin e dronëve dhe raketave. BE-ja gjithashtu planifikon të sanksionojë 22 kompani që mbështesin industrinë ushtarake ruse.
Von der Leyen ka ritheksuar kërkesën e BE-së për një armëpushim të plotë dhe pa kushte prej të paktën 30 ditësh, duke nënvizuar se “lufta duhet të marrë fund.”/Express