BE-ja është duke shikuar para në formimin e parlamentit të ri të Kosovës dhe qeverisë, si dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Nga BE-ja është thënë se është vendosur një Mision i Ekspertëve Elektoral (EEM) që do të mbesin për të ndjekur procedurat pas-elektorale si dhe do të japin rekomandime.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, thuhet se BE-ja do të angazhohet me institucionet e reja të Kosovës me synim për të arritur përparim në rrugën evropiane dhe se pret që institucionet e reja të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.
“Kjo do të kërkojë që Kosova të avancojë në reforma, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në përparimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe synim të vazhdimit të takimeve në dialogun me Serbinë të ndihmuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para vetes për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.