Bashkimi Evropian ka ndarë një grant prej 9.4 milionë eurosh për Kosovën me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas krizës me pandeminë COVID-19.
Një lajm i tillë është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ku thuhet e Brukseli do të përkrahë efiçiencën e energjisë në Kosovë me një shumë prej afro 10 milionë eurosh.
Ky grant dhe implementimi i tij do të administrohet nga Banka Botërore.
“BE-ja mbështet efiçiencën e energjisë në Kosovë me 9.4 milionë euro, duke krijuar vende pune për të zvogëluar ndikimin negativ të virusit COVID-19 në ekonomi”, thuhet në njoftim,transmeton Express.
Implementimi i këtij granti do të fillojë menjëherë pas përfundimit të situatës më COVID-19.
“Marrëveshja për grantin prej 9.4 milionë euro nga IPA 2017 u nënshkrua dje nga BE-ja dhe qeveria e Kosovës, me Bankën Botërore si administrues i besuar. Implementimi i projektit do të fillojë sapo të tejkalohet situata me përhapjen e virusit COVID 19 dhe do të kontribuojë zvogëlimit të ndikimit të tij negativ në ekonomi”, shton komunikata.
“Ky grant do të përdoret nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë si kapital për financimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në infrastrukturën publike komunale, përkatësisht në shkolla, qendra të kujdesit shëndetësor, spitale etj dhe do të krijojë vende pune në sektorin e ndërtimtarisë”, theksohet ndër të tjera.