BE-ja nuk mund t’ia dalë vetë me Kosovën e Serbinë

E publikuar: 22/11/2022 18:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas përpjekjes së fundit të dështuar të Brukselit për të arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, është koha për të pyetur nëse Bashkimi Evropian mund ta arrijë vërtet normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve dhe nëse shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i tij për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, janë njerëzit që mund t’ia dalin.

Kur bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ndërprenë më 21 nëntor në Bruksel, Borrell dha një nga vlerësimet më të mprehta deri më sot për atë se ku qëndron problemi dhe kush është fajtor.

Duke folur për mediat, pa pranuar pyetje, ai tha: “Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”.

Më pas vazhdoi me një paralajmërim kërcënues:

“Do t’i informoj shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar. Kjo vlen veçanërisht për Kosovën. E di, kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ”.

Tani, Borrelli është ndryshe në krahasim me dy paraardhëset e tij, Catherine Ashton dhe Federica Mogherini, të cilat, po ashtu, kanë ndërmjetësuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht, ai flet me gazetarët për dialogun, gjë të cilën paraardhëset e tij e kanë bërë rrallë – nëse e kanë bërë.

Dhe kur flet, flet hapur. Mediat e mirëpresin, por kjo gjë nganjëherë e minon natyrën e rolit të tij, që është lehtësues.

Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se ai nuk ka të drejtë. Durimi me Albin Kurtin në Bruksel po mbaron. Shumica e diplomatëve të BE-së e përshkruajnë atë si “të pakompromis”, “të ngutshëm” dhe “të vështirë”. Dhe, është fakt se ai është ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm kosovarë që kanë shkuar në Bruksel për të negociuar me Serbinë. Ai shkon atje për të “qëruar hesape” me Beogradin dhe Vuçiqin. Merr ca pikë në Kosovë dhe nuk shqetësohet për t’u futur në “librin e mirë” të BE-së.

Jo shumëkush mund ta shpjegojë “lojën e tij” me BE-në, por lehtësisht mund të konstatohet se atij i ka humbur durimi me BE-së dhe se shumica e bashkëqytetarëve të tij ndihen njësoj. Jo pa arsye./REL./