Bashkimi Evropian, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të vazhdojnë dialogu0n drejt marrëveshjes finale mes tyre e të bazuar në propozimin e bërë nga ta.
Në një konferencë që ishte e para për vitin 2023, nga Brukseli, thirrën, siç i quajnë palët, që të shmangin veprimet “që kanë potencial të kthehen në eskalim e dhunë”, përderisa u tha që EULEX, po monitoron situatën.
Kjo në kontekstin e situatës që është pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës nga serbët, që ngjau më 29 e 30 dhjetor, njofton Klan Kosova.
“Zhvillimet e javëve të fundit kanë treguar se sa e rëndësishme është që të bëhet përparim i vërtetë e i pakthyeshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton edhe zbatimin e plotë të gjitha ujdive paraprake pa shtyrje. Nisur nga kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës, e nisja e diskutimeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha Nabila Massrali, zëdhënëse për Punë të Jashtme në Komisionin Evropian.
Duke pasur parasysh pikërisht zhvillimet me barrikadat në dhjetor e një seri krizash tjera që u përjetuan në vitin 2022, sipas ekspertit gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, perëndimi zor se i bën dy vendet të arrijnë ujdi mbi propozimin e BE-së.
“Mbetem thellë skeptik për racionalitetin politik që është prapa propozimit të përkohshëm – të ndërmjetshëm për marrëveshje. S’e di pse BE dhe SHBA, nuk shkojnë direkt me atë që ishte politikë zyrtare prej 2017-ës, e që është negocimi për ujdi finale e gjithëpërfshirëse. Nëse arsyeja është që Perëndimi s’ka levat e mjaftueshme ndaj Serbisë, atëherë dyshoj që Brukseli e Uashingtoni, do menaxhojnë të pajtohen për një propozim të përkohshëm”, tha Weber për Klan Kosova.
Ndryshe, emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dhjetori 2023 eventualisht fillimi i vitit 2024, konsiderohet vërtetë periudhë kohore për marrëveshje.