Sipas gazetës serbe “Blic”, BE-ja sot ka tentuar që ta bindë Serbinë që ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Marrëveshjen e Asociacioni të komunave serbe.
“Blic”-i shkruan se BE-ja, si garantuese e implementimit, kishte ngurruar të reagojë kur Kushtetuesja konstatoi se parimet e kësaj marrëveshjeje nuk ishin në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke mos e dënuar këtë ndryshim pozicioni të njëanshëm karshi një marrëveshje ndërkombëtare, transmeton kp.
Dhe, sot, sipas të përditshmes serbe, BE-ja ka shkuar edhe një hap më tej duke rifilluar dialogun duke u munduar të bindë palën serbe që të pranojë këto ndryshime.
Takimi i sotëm në Bruksel mes palës serbe dhe kosovare, në nivel të lartë të liderëve, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, ndonëse Serbia gjatë gjithë kohës insistoi në vazhdimin e themelimit të AKS-së si dhe hartimit të Statutit në Bruksel
Por, Mustafa dhe delegacioni kosovar i prirë nga ai, kanë thënë se Statuti i Asociacionit do të hartohet në pajtim me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ndërkohë, temë tjetër bisedimi, ndër tjerash, mësohet të ketë qenë edhe aktgjykimi ndaj liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq.