Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga Unioni dhe se është ende në pritje të një hetimi të plotë e përfundimtar për sulmin terrorist në Banjskë.
“Nuk ka rrugë tjetër, duhet t’i kthehemi dialogu. BE-ja është lehtësues i dialogut, BE-ja është ndërmjetës i ndershëm, që ndihmon palët për të gjetur konsensusin”.
Stano tregoi edhe pritshmëritë aktuale të BE-së për të dyja palët, derisa përmendi që masat Kosovës i hiqen kur të ketë deeskalim.
“Në këtë fazë ne vërtet duhet të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar.”
Deklaratat e presidentes Vjosa Osmani se nuk takohen me presidentin e Serbisë derisa vendi i tij nuk sanksionohet për aktin agresor ndaj Kosovës, Stano iu referua si “të ashtuquajtura kushte”.
“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”.
Po ashtu, Stano u pyet nga një gazetar i Serbisë se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia për hetimin e sulmit të Banjskës, duke aluduar në atë që Serbia s’i njeh institucionet e Kosovës.
“Ne presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia. Si e bën, varet nga Serbia. Ka mënyra nëse ka vullnet, ka shumë mënyra. Nuk na takon të dërgojmë mesazhe përmes domenit publik. Partnerët tonë në Serbi e dinë mirë se çka duhet të bëjnë dhe se çka pritet të bëjnë”.