Bashkimi Evropian sot i ka dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë një kontingjent prej 30 respiratorësh për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Pranimin e tyre e ka bërë sot ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka falënderuar BE-në për ndihmën e vazhdueshme që po ia bën Kosovën në luftën me pandeminë.
“Kjo ndihmë e sotme dhe ky kontingjent i ventilatorëve do të ndihmojë shumë në organizim, të cilin po e bëjmë së bashku me SHSKUK-në në ndarjen e përgjegjësive për të ndihmuar çdo qytetar që mund të jetë infektuar dhe po përballet me jetën nga pandemia COVID-19”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se kjo ndihmë do të lehtësojë luftën me COVID-19 dhe punën e profesionistëve shëndetësorë.
“Kjo ndihmë është vlerësim i madh, i nevojshëm, i domosdoshëm dhe shpresojmë që çdo jetë e shpëtuar do të jetë falënderim tepër i arsyeshëm dhe i konsiderueshëm për taksapaguesit evropianë dhe për ju që po e ndihmoni Republikën e Kosovës. Me këtë angazhim do të na lehtësoni luftën ndaj pandemisë COVID-19, do t’ua lehtësoni punën profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë ministri pas pranim-dorëzimit të kontingjentit. /Express/