Një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar unanimisht hapjen e grupkapitullit të pestë me Shqipërinë, i cili përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin. Ky është kapitulli i fundit në kuadër të negociatave për anëtarësim.
Lidhur më këtë lajm, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar vendimin si një tjetër dëshmi të progresit të qëndrueshëm të Shqipërisë drejt familjes evropiane.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 ‘Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni’”, shkruan Rama.
Në vijim, pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet konferenca e gjashtë ndërqeveritare, e cila do të shënojë zyrtarisht hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me synimin që Shqipëria të anëtarësohet plotësisht në BE deri në vitin 2030, transmeton rtsh.
Në këtë konferencë do të diskutohet edhe Grupkapitulli 4, që përfshin Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme, me fusha si transporti, rrjetet trans-evropiane, energjia, mjedisi dhe ndryshimet klimatike.


















