Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian (EU MVZ) ka bërë të ditur që ky mision do të përfshijë mbi 100 vëzhgues të shpërndarë në terren që do të monitorojnë procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Kështu bëri të ditur në një konferencë për media, shefja e Misionit të BE-së, Nathalie Loiseau.
“Në momentin e zgjedhjeve do të jeni mbi 100 vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë që do të jenë të shpërndarë në teren. Misioni i BE-së është i vetmi mision i plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve me prani afatgjatë që do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë në këtë vit. Ekipi tashmë ka mbërritur këtu para një jave, këtë javë unë kam ardhur të mërkurën”, ka thënë ajo.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në fletëvotim, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.
Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.
Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.