Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se presin që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë sa më parë që të jetë e mundur, në përputhje me marrëveshjen e dy kryeministrave.
“Kemi planifikuar disa takime gjatë disa javëve të ardhshme”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 21 prill dhe kanë thënë se rrethi i ardhshëm i bisedimeve do të mbahet gjatë muajit maj.
Sot, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar autoritetet në Prishtinë se kanë anuluar bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Sipas tij, këto bisedime është dashur të mbahen të martën, porse “Prishtina i ka anuluar ato në mënyrë të njëanshme”, duke u thirrur në arsye të brendshme politike.