Irani nuk veproi i vetëm në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania.
BBC kujton sesi pak kohë më parë, firma amerikane e sigurisë kibernetike Mandiant doli në përfundimin se në këtë goditje ndaj vendit tonë ishin përfshirë “një ose më shumë aktorë që kanë vepruar në mënyrë kërcënuese në mbështetje të qëllimeve iraniane”.
Mandiant vuri në dukje se ndërprerja e shërbimeve ndodhi vetëm disa ditë përpara mbajtjes së samiti të organizuar nga opozita e Iranit, në zonën e Manzës në Durrës. Eventi u shty pas paralajmërimeve për kërcënime “terroriste”. Një grup që e quan veten “Homeland Justice” mori përgjegjësinë lidhur me sulmin kibernetik, duke përdorur viruse që synojnë zhvatjen për qëllime përfitime financiar, por që po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime politike, veçanërisht nga Irani.
Pretendimi nga “HomeLand Justice” u bë në një kanal të aplikacionit Telegram, në të cilin u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin tek aktivizohej programi me virus. Kjo ngjarje përbën një kërcënim aktiv për organizatat publike dhe private në vendet e tjera anëtare të NATO-s.
Kjo është ndoshta përgjigja më e fortë publike ndaj një sulmi kibernetik që kemi parë ndonjëherë“, tha John Hultquist, zëvendëspresident i Mandiant, pas njoftimit të Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ai shtoi se sulmi ishte “një kujtesë se ndërsa aktiviteti kibernetik më agresiv iranian është përgjithësisht i përqendruar në rajonin e Lindjes së Mesme, ai nuk është aspak i kufizuar vetëm atje. Hultquist paralajmëroi gjithashtu se ajo tregon që sistemet kryesore të rëndësishme të qeverive të vendeve të NATO-s janë “të cenueshme dhe nën sulm”.
Më herët, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, që dënoi sulmin kibernetik të republikës islamike ndaj Shqipërisë, nënvizoi se aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte./tch/