Pep Guardiola u kthye në Allianz Arena, këtë herë si kundërshtar i Bayern Munchen dhe në drejtim të stolit të Manchester City.
“Mirë se u ktheve” ishte parulla e dedikuar e vendosur në dhomat e zhveshjes dhe e vetmja përshëndetje miqësore gjatë përballjes testuese të luksit.
Pritja nga tifozët bavarezë ishte e ftohtë, ndërsa në fushë Guardiola u mposht 1-0 nga Carlo Ancelotti, që e pasoi në krye të stolit të Bayern-it. Miqësorja prestigjoze, e karakterizuar nga mungesat e shumë yjeve pas Euro 2016 dhe Kupës së Amerikës, u vendos nga goli i të riut Erdal Ozturk.
Në të 76-ën, ylli i ri i Bayernit devijoi në rrjetë harkimin e Gael Clichy. Një sukses i merituar për kampionët e Gjermanisë, që aktivizuan formacionin më të mirë, me Franck Ribery që dukej në formë mjaft të mirë.
Tani Manchester City do të niset për turneun në Kinë, ku do të luajë edhe derbin me Manchester United të Jose Mourinho-s. Por, megjithë humbjen, Guardiola e sheh gotën gjysmë plot.
“Jam mjaft i kënaqur. Skuadra zbatoi shumë nga ato gjëra për të cilat kemi punuar në stërvitje. Nuk duhet të harrojmë që u përballëm me një skuadër të madhe, e cila i kishte të gjithë lojtarët më të mirë në dispozicion, ndërsa ne u paraqitëm me lojtarë të rinj, të cilët gjithsesi luajtën mirë. Na duhet kohë. Nevojitet të luajmë të tjera ndeshje si kjo, në mënyrë që të testojmë nivelin e të rinjve dhe të kuptojmë si ti përdorim gjatë sezonit”.



















