Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit respektuan pritshmëritë duke kaluar përballë kundërshtarëve modestë pa ndonjë problem turin e parë të Kupës së Gjermanisë. Për Nottingen, skuadër që e ka kaluar gjithë ekzistencën në Ligat Amatore dhe vetëm këtë sezon është ngjitur në Kategorinë e Pestë të futbollit Gjerman, vetëm përballja me kampionët e Gjermanisë përbënte një shpërblim të madh dhe motiv krenarie. Bajerni kaloi në avantazh që në minutën e pestë kur Vidal shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit golin e tij të parë me fanellën e bavarezëve. Nottingen mund të krenohet me golin e Hecht-Zirpel që ekuilibroi shifrat në 1-1 në minutën e 16, por ekuilbri nuk zgjati as një minutë pasi pa u mbushur mirë me frymë te Nottingen, Mario Gotze kaloi sërish Bajernin në avanyazh, ndërsa Robert Lewandowski fiksoi rezultatin përfundimtar 3-1 me golin e tij në minutën e 26-të.
Borusias së Dortmundit i mjaftoi nga një gol për cdo pjesë për të kaluar me rezultatin 2-0 përballë Chemnitzer. Skuadra që militon në Bundesligën e tretë u ndëshkua nga golat e Aubameyang, dhe armenit Mkhitarian. Surpriza në Kupën e Gjermanisë erdhi me eliminimin e Hamburgut që u mund në kohën shtesë nga Jena, skuadër e Regionalligas, Ligës Rajonale apo ndryshe Kategoria e katërt e futbollit gjerman. Pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt sfida u vendos nga Pieles në minutën e 106. Eliminohet që në debutim dhe një tjetër skuadër e Bundesligës, Ingolstadi që është ngjitur në kategorinë maksiamle të futbollit gjerman këtë sezon, u mposht 2-1 nga një tjetër e Kategorisë së katërt, Unterhaching.