Gazetari Baton Haxhiu ka thënë në emisionin Pressing në T7 se plani franko-gjerman ka në pikën e 9-të edhe themelimin e Asociacionit, shkruan Gazeta Express. Sipas Haxhiut, Kurti me pranimin e planit franko-gjerman, e ka pranuar edhe themelimin e Asociacionit.
Kryeministri Albin Kurti e ka thënë sot se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur si planin franko-gjerman.
Këto komente ai i ka bërë pas takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lacjak. Haxhiu thotë se kjo do të thotë edhe pranimi i Asociacionit.
“Kur thuhet ne e pranojmë, për ata që e dinë se cfarë ka brenda marrëveshja, që ne nuk e dijmë, pika 9 flet për Asociacionin. Fakti që Asociacioni është në një pikë, kur e pranon planin franko-gjerman, e pranon edhe Asociacionin”, ka thënë ai.
Haxhiu shton se tani pyetja qëndron tek fakti se si do të prezantohet para popullit themelimi i këtij Asociacioni nga Kurti.
“Tash pyetja është se si e shet tek publiku. Meqenëse e kanë quajtur Zajdenicë dhe i ka sulmuar politikisht paraardhësit e vet, Kurti do të mundohet që emrin e Zajednicës ta zbusë”, shton Haxhiu.
Gazetari Haxhiu po ashtu tha se nuk ekziston asnjë dokument ku është kërkuar reciprociteti në trajtimin e minoriteteve në të dy shtetet.
Ndryshe, Kurti ka thënë se e sheh propozimin si “një bazë të mirë” për të ecur para me diskutime.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti.
Por, Kurti thotë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani që do t’i adresojë në Bruksel.
“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, thuhet në postimin e Kryeministrit në Twitter. /Gazeta Express/