Ndaj kryetrajnerit të Llapit, Tahir Batatina, është hapur procedurë disiplinore lidhur me veprimet e tij pas ndeshjes me Prishtinën.
Të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Llapi e humbi 3:2 ndeshjen dramatike ndaj Prishtinës.
Batatina ishte i pakënaqur me punën e arbitrit Genc Nuza, dhe për veprimet e tij, pritet të dënohet nga organet e FFK-së.
“Pas përfundimit të ndeshjes, Tahir Batatina është vërsulur disa herë në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare, ofenduese dhe kërcënuese. Pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ua tregon gishtin e mesit, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje josportive dhe vulgare ndëshkohet direkt me karton të kuq”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave të FFK-së, të publikuar të martën pasdite.
Sipas vendimit, Batatina ka tentuar të realizojë sulm fizik ndaj Nuzës edhe pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Madje një përpjekje të tillë e bëri edhe pas largimit nga fusha.
“I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia”, shkruan tutje në vendim.
Procedurë është hapur edhe ndaj klubit Llapi, për komunikatën e lëshuar pas ndeshjes në Prishtinë.
Komisioni i Garave ka vlerësuar se Llapi përmes komunikatës ka akuzuar gjyqtarin Nuza, e ka ofenduar dhe e ka kërcënuar atë.
Procedurë është hapur edhe ndaj Prishtinës, për lëshime në organizim të ndeshjes derbi me Llapin.
Prishtina mund të dënohet pasi ekonomi i Llapit, Besart Hoti, ka kaluar rrethojat e stadiumit, është futur në fushën e lojës dhe ka ofenduar e kërcënuar arbitrat.
Hoti u ndëshkua me të kuq, ndonëse nuk ishte i paraqitur në protokollin e ndeshjes. Prishtinës mund t’i kushtojë edhe fakti që “disa persona u lejuan të qëndrojnë prapa bankinës së Llapit, të cilët kanë ofenduar dhe kanë penguar trajnerin Batatina”.
Dënim e pret edhe Feronikelin 74 për lëshim në organizim të ndeshjes me Dukagjinin.
Në minutën e 28-të të ndeshjes tifozët vendas hodhën një shishe qelqi në fushë, në mesin e shumë telasheve që i shkaktuan.
Një copë e shishes goditi portierin vendas dhe e lëndoi atë.
“Përfaqësuesit zyrtarë të KF Feronikeli 74 bashkë me disa zyrtarë shkojnë për t’i qetësuar tifozët mirëpo hasin në rezistencë. Fillojnë verbalisht e pastaj edhe konfrontimet fizike ku dy–tre simpatizues tentojnë t’i kalojnë rrethojat dhe të futen në fushë. Si pasojë e gjithë kësaj gjyqtari kërkon zbrazjen e tribunës për çka ndeshja ndërpritet për 12 minuta”, shkruan në vendim./esxpress