Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar lidhur me aksionin e sotëm në në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm një aksion i Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë për media, Prokuroria bëri të ditur se aksioni po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitë tjera mbështetëse, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit, gjatë aksionit janë kryer bastisje në ARBK, institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, sipas nenit 391 të KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion. Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se aksioni është ende në zhvillim dhe se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
“Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit. Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi”, përfundon komunikata.


















