Italia është tronditur nga skandali i fundit i trukimit të ndeshjeve. Një skandal i të tilla përmasave që çoi në qeli mbi 50 persona nuk mund të lihej pa u komentuar nga kryeministri Matteo Renzi, i cili la mënjanë etikën e politikanit dhe foli pa asnjë rezervë për këtë plagë të madhe të futbollit italian. “Mjaft më me karaktere të dyshimta që drejtojnë botën e futbollit. Duhet t’ua rikthejmë topin atyre që u takon. Eshtë koha për ndryshim. Më vjen neveri nga këto episode sepse futbolli është një vlerë e shtuar e këtij vendi”. Ishin këto fjalët e shefit të qeverisë italiane, për të cilat pa vonesë reagoi presidenti i federatës. Duke mos i hequr asnjë pikë e asnjë presje atyre që tha Renzi, Tavecchio hodhi disa ide se çfarë mund të bëhet për rimëkëmbjen e sportit më popullor në Itali.
“Futbolli është një palë e dëmtuar nga këto ngjarje dhe neve na mungon dëshira apo forca për ta mbrojtur. Futbollit i mungon edukimi. Duhet ta ndryshojmë këtë situatë, duke patur drejtues më të përgatitur. Janë gati 200 drejtues që riciklohen çdo vit, por që nuk dihet se çfarë bëjnë. Për këtë duhet të ngrejmë një database, që t’i monitorojmë, në të kundërt do të mbetemi në të njëjtën situatë”./ss/