Khomdram Gambhir Singh, që ishte ndarë me familje para 40 vitesh, është ribashkuar kur u shpërnda në internet një video, ku ai shfaqet duke kënduar një këngë të famshme nga Bollywoodi.
Familjarët që jetojnë në Manipur të Indisë e kanë mirëpritur ngrohtë 66-vjeçarin, që ishte larguar para 40 vitesh, menjëherë pasi u nda nga gruaja, transmeton Telegrafi.
“Kam provuar shpesh të vij në shtëpi, por nuk kisha aq shumë opsione”, ka thënë Singh, duke refuzuar të tregojë motivet që e bënë të qëndronte larg të afërmve, që nga viti 1978.
Për katër dekada, sa ishte larg, familjarët nuk kishin dëgjuar asgjë për të. Së fundmi, një burrë i thinjur që këndon një këngë të njohur nga Bollywoodi, në një rrugë të Mumbait 3,300 kilometra larg, u shfaq në YouTube.
Disa të afërm e njohën dhe së bashku me familjarët, u nisën për ta gjetur se ku jeton. Nuk iu desh shumë, që të bindet dhe të kthehet në shtëpi, ku po shkojnë ta takojnë edhe njerëzit e panjohur, që dëgjuan historinë mbresëlënëse. /Telegrafi/