Edi Rama nuk mundet me qenë injorant në histori, që si hakmarrje ndaj Europës, kërkon me shkri kufijtë e me u bashkue me Kosovën. Por nëse komuniteti ndërkombëtar e pranon, pse mos me e ba këtë edhe shqiptarët e Maqedonisë, serbët e veriut të Kosovës apo serbët e Bosnjes dhe Kranjës – tu’ krijue Serbinë e Madhe? Pse mos me kërkue edhe grekët e jugut të Shqipnisë bashkimin me Greqinë?
Ndoshta Rama nuk e kupton që po luen me zjarrin dhe se me të tilla krekosje nuk hyn kurrë në Bashkimin Europian.
Kështu shkruen para pak ditësh gazeta greke “Kathemerini” në nji analizë që i ban deklarimeve të fundit të kryeministrit socialist të Shqipnisë, Edi Rama, për bashkimin e Shqipnisë me Kosovën.
Simbas autorit të shkrimit, Stavros Tzimas, asht punë e shqiptarëve nëse e pranojnë Edi Ramën kur nxehet në parlament si në rrugë, por kur ndërhyn në predikime për bashkimin e Shqipnisë me Kosovën, tu’ kërcënue se kjo ka me ndodhë si nji proces i kuptueshëm në kuadrin e integrimit të të dy vendeve në BE, ose si nji reagim ndaj plogështisë dhe verbnisë së Bashkimit Europian – atëherë ai bahet i rrezikshëm për stabilitetin rajonal.
Kathemerini shkruen se Edi Rama hyni në skenën politike të Shqipnisë me kunorën e nji lideri modern dhe se shumë – sidomos europianët dhe amerikanët – besuen se ma n’fund u gjet lideri që kishte me ndrru imazhin e Shqipnisë. Krejt kjo, simbas gazetës, ndodhi sepse Shqipnia kishte nevojë për nji person publik me nji kulturë tjetër politike, mbasi që ndërkombëtarët ishin lodhë tu’ i tërheqë vëmendjen Berishës kur delironte i frymëzuem nga “Shqipnia e Madhe” apo “Natyrale”.
Por të gjithë u zhgënjyen me Edi Ramën, – shkruen Kathemerini.
Jo vetëm që u harruen premtimet për modernizimin e shtetit dhe të shoqnisë shqiptare, por Edi Rama po rreh t’njajtën rrugë të konfliktit politik dhe nacionalizmit, – shkruen Tzimas në gazetë greke Kathemerini.
“Bashkimi me Kosovën”, Edi Rama po luen me zjarrin
NGA KATEGORIA