Dionis Xhafa – Edi Rama së fundmi ka nisur të flasë për “bashkim kombëtar të shekullit XIX-të” dhe me një retorikë, të cilën Ramës nuk ia kishim dëgjuar më parë, së paku kur ka qenë në opozitë.
Një retorikë e tillë ku ndër të tjera përmendet edhe termi aq i dëshiruar, sidomos për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, e ka bërë Ramën të jetë mjaft i dashur edhe në Maqedoni, në Kosovë, në Luginë dhe në Mal të Zi, me vizitën e fundit në Ulqin. Madje, në qytetin bregdetar të Malit të Zi, Rama u shpall edhe “Qytetar Nderi”, një titull që i akordohet kryeministrit tonë në mënyrë krejt të beftë, pasi e dimë fare mirë se Rama nuk është se ka dhënë ndonjë kontribut të madh për Ulqinin, përveç fjalëve të bukura në këtë qytet.
Njëjtë dhe Hashim Thaçi. Ai nuk ka dhënë ndonjë kontribut për Ulqinin, por u nderua si “Qytetar Nderi” në këtë qytet. Në fakt, Rama ka nisur të bëhet patriot dhe më tepër sesa kaq, ka nisur të flasë me fjalë patriotike që kur u bë kryeministër. Ai përdor edhe termin, i cili është kaq i debatueshëm, që shpesh është temë mbi tema, bashkimin kombëtar.
Ky term në fakt po ta përdorë kryeministri në kuptimin e parë të fjalës, si bashkim shtetesh që banohen nga shqiptarët, do të ishte mesazh i rrezikshëm për Evropën dhe miqtë ndërkombëtarë. Por, Rama duket se e përdor retorikën e tij mbi “bashkimin kombëtar” thuajse si një kurth, duke e vënë mes fjalës tjera, me qëllim që termi mos të ketë kuptimin e parë. Kështu, ai është në rregull edhe me ndërkombëtarët, edhe me shqiptarët.
Rama thotë “…bashkim kombëtar i shekullit XXI…”, pra një bashkim mes vetes të shqiptarëve, por se kufijtë mbeten. Pra, pak a shumë nuk thotë asgjë, pasi kjo dihet se shqiptarët janë pranë njëri-tjetrit, por vetëm kufijtë i ndajnë. Edi Rama, edhe kur ka qenë në opozitë ka qenë në Luginë të Preshevës. Në atë kohë, fjala e Ramës nuk ka patur aq rëndësi sa ka sot. Por, Rama po përdor mekanizma të fjalës me qëllim që të trumpentojë një realitet të shpërfaqjes së patriotizmit.
Mos ndoshta këta terma që përdor Rama gati po e bëjnë atë si paraardhësi Berisha, i cili në Shkup lëshonte mesazhe nacionaliste për shqiptarë, së bashku me Thaçin, e nga ana tjetër iu bindeshin një për një evropianëve, së paku në këtë pikë? Edi Rama ndoshta e di më mirë se të gjithë se bashkimi kombëtar është projekt gati i parealizueshëm dhe utopik, që ngre turmat në peshë. Fjalët nuk të bëjnë patriot dhe as këngët që promovon Digitalb apo Top Channel, kanale që i shërbejnë pushtetin.
Njerëzit kanë nevojë për punë dhe mirëqënie. Përpara se Rama të merret me tema kaq të mëdha siç është bashkimi kombëtar, së pari të punojë për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Gjermanitë, ajo e Lindjes dhe e Perëndimit nuk u bashkuan në një ditë të bukur dhe në mënyrë krejt të papritur.
Ata u bashkuan, pasi gjermanët, në Lindje dhe në Perëndim punuan fort dhe pasi kishin mirëqëniet dhe kishin shtetin ligjor dhe nuk ndodhi e kundërta, ajo që fjalët janë të bukura dhe veprat askund. Këtu flasim për një atdhe imagjinar, atë që është i plagosur dhe themi të ecë me vrap, në vend që ti gjejmë ilaçet që të ngrihet në këmbë.
Edi Rama duhet të punojë për shqiptarët, sidomos ata të Shqipërisë, meqë mandatin e kryeministrit e ka nga qytetarët e Shqipërisë.
Flamujt dhe shpërfaqja e patriotizmave të vënë njëlloj si në kushtet e librit të famshëm të Ernest Koliqit “Tregtar flamujsh”, ku personazhi kryesor shiste flamuj dhe me këtë bënte sikur është patriot. Por se në fakt ai përfitonte para nga shitja e flamujve.
Në rastin e Ramës, nga fjalët dhe nga flamujt, ai mund të përfitojë pushtet. Flamuri i vërtetë për shqiptarët sot duhet të jetë puna, ajo e rrit mirëqënien e gjithësecilit dhe krijon një sistem të denjë për tu jetuar.
Dhe, punën duhet ta gjejë qeveria sipas një sistemi meritokratik. Fatkeqësisht, jemi larg këtij sistemi. Pushteti të bën patriot pët të fituar edhe elektorat dhe Rama duket se po bëhet i këtillë./albeu.com/