Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës: Rritja e pagave të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta

E publikuar: 29/10/2024 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka ngritur shqetësime për njoftimin e sotëm të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit publikë.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, vlerësoi rëndësinë e rritjes së pagave për përmirësimin e standardit të jetesës dhe kushteve të punës për të punësuarit, megjithatë shprehu rezerva për mënyrën se si Qeveria ka prezantuar rritjen e pagave.

Ai ka kërkuar që çdo rritje page “të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve.”

“Sot, pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës përkitazi me rritjen e pagave për disa kategori të punonjësve, ndjehem i detyruar të shpreh shqetësimin tim si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Edhe pse rritja e pagave është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së punonjësve, është thelbësore që ky proces të jetë transparent dhe i bazuar në ligj.” – tha ai.

“Si përfaqësues i sindikatave, kërkoj që çdo rritje page të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve. Është e domosdoshme që procesi të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë përfaqësuesit e sindikatave në diskutimet për vendime të tilla, në mënyrë që të sigurojmë që çdo punonjës të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar.” – ka theksuar Hykolli.