Gjatë ditës së diele në gjithë Serbinë u vendosën kutitë e votimit, në mënyrë që qytetarët të mund të zgjedhin “Presidentin e ri” të Serbisë, por edhe deputetët përfaqësues të serbëve në kuadër të Parlamentit.
E këto zgjedhje ishin parashikuar se do të mund të mbaheshin edhe në territorin e Kosovës, saktësisht në komunat ku ka më shumë serbë.
Një gjë e tillë nuk ndodhi. Qeveria e Kosovës mori vendim që të mos lejojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, apo njohur ndryshe si zgjedhjet serbe. E pas këtij vendimi, serbët udhëtuan drejt Serbisë në mënyrë që të shfrytëzonin të drejtën e tyre për votë.
Është raportuar gjatë se pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë intensifikim të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, por si duket kjo nuk do të ndodh aq lehtë.
Në nivelin e krerëve të shtetit u zhvillua vetëm një takim që nga marrja e drejtimit të Qeverisë së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti. E tri takime të tjera u zhvilluan nga përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri Besnik Bislimi, si dhe përfaqësuesi serb, Petar Petkoviq.
I kontaktuar nga lajmi.net, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk ka ndonjë datë të caktuar për takimin e radhës në mes dy shteteve, Kosovë-Serbi.
“Si gjithmonë, ne shpallim çdo takim të ardhshëm të dialogut kur është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Poashtu është theksuar se Bashkimi Evropian, pret që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat e vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“BE pret që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat e vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që procesi të mund të ecë përpara për të mirën e njerëzve si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi”, thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, së fundi është marrë vendimi lidhur me tabelat identifikuese të automjeteve.
Nga ky vendim i marrë në Bruksel është vendosur që të gjithë automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë, të mbulojnë përmes stikerave pjesën ku shihen targat serbe. Kësisoj, kjo ishte marrëveshja e fundit sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, duke mos patur ndonjë vendim tjetër të rëndësishëm për të dyja palët.
E nga krerët e shtetit, por edhe nga përfaqësuesit e huaj vazhdimisht është theksuar nevoja e vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, në mënyrë që të dyja shtetet të lëvizin drejt mundësisë së vetme të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, apo përfundimtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundi deklaroi se tani që përfunduan zgjedhjet ne Serbi, mund të ketë intensifikim të procesit të dialogut.
Ajo deklaroi se nuk mund të garantojë për gatishmërinë e Serbisë, por tha se këtë mund ta bëjë për palën kosovare.
Poashtu presidentja theksoi se pret gjithashtu edhe interesim më të madh nga partnerët për këtë proces.
“Tani që nuk do të ketë zgjedhje në të dyja shtetet, mund të ketë intensifikim të procesit besoj. Po ashtu edhe interesim më të madh edhe nga partnerët tanë që kjo të shtyhet para”, tha ajo.
E sipas presidentes Osmani, qëllimi i Serbisë vazhdon të jetë zvarritja e procesit të dialogut, në mënyrë që Kosovën ta paraqesin si shtet të papërfunduar.