Bashkëluftëtarët i shkruajnë letër të hapur Veselit, Haradinajt, Limajt e Muratit.
“Bashkimi i subjekteve të dala nga lufta, gjegjësisht, nga UÇK-ja, përveçse ndryshoi pozitivisht opinionin e brendshëm, ngjalli edhe reagime në opinionin e jashtëm”.
Letër e hapur
Për: bashkëluftëtarët tanë: Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, dhe Valon Murati
Nga: një grup bashkëluftëtarësh, nga komuna e Vitisë
Ne, si shumë bashkëluftëtarë të tjerë anë e kënd trojeve tona, i‘u gëzuam pa masë bashkimit tuaj dhe fitores së zgjedhjeve, komandantë të respektuar.
Bashkimi i subjekteve të dala nga lufta, gjegjësisht, nga UÇK-ja, përveçse ndryshoi pozitivisht opinionin e brendshëm, ngjalli edhe reagime në opinionin e jashtëm.
Që në momentin, që këta komandantë të UÇK-së bënë publike krijimin e këtij koalicioni, ndërroi gjithçka. Përnjëherë u ngjall një ndjenjë e fortë tek familjet e dëshmorëve, veteranët u ndjenë më të të fortë se kurrë më parë. Dilemat, se kah të rreshtoheshim në zgjedhje, ranë. Tani po thuhet “Të gjithë jemi bashkë“.
Në të kundërtën, dashakqinjtë e UÇK-së u ndjenë keq, besa shumë keq. Ata ende nuk u besojnë syve dhe veshëve të tyre “çka po shohin e çka po dëgjojnë“.
Dashakqinjtë e këtij koalicioni janë të hutuar me fitorën dhe urojnë që ky koalicion të mos ketë jetë të gjatë. Dhe nxjerrin lloj-lloj teorie kundër këtij koalicioni.
Armiku ynë, Serbia, të vetëdijshëm se tani e tutje nuk do të ketë mundësinë e vazhdimit të lojës si më parë, botërisht reaguan kundër koalicionit të komandantëve të UÇK-së dhe kundër fitores së zgjedhjeve.
Të gjithë ata që pas luftës ju patën gëzuar ndarjes së krahut të luftës, tani sikur urrejtja ka filluar t’i shtrëngoj fort në fyt.
Armiqtë e jashtëm veçse janë prononcuar kundër këtij koalicioni të komandantëve të UÇK-së. Kurse armiqve të brendshëm ka filluar të ju zihet fryma. As fjalët nuk po dinë si t’i radhisin.
Komandantët e UÇK-së u bënë bashkë, u pëlqej apo nuk u pëlqej, dashakqinjëve, të jashtëm e të brendshëm!
Që nga paslufta, shumë kush ka pas fërkuar duart, duke thënë„ja marifeti i tyre, dy komandant nuk bëhen bashkë“.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të shtatëmbëdhjetë viteve të pasluftës për etiketimin e bashkëluftëtarëve tanë, për akuza dhe burgosje. Edhe sot kemi bashkëluftëtarë të burgosur padrejtësisht.
E gjithë kjo ishte si pasojë e ndarjes së krahut të luftës. Ku ju dha mundësia që në mesin tonë të futën dashakqinjë, sehirgjinjë, sabotatorë dhe dezertorë të luftës tonë çlirimtare.
Thuprat një nga një filluan të thyhen. Pikërisht ashtu, si që është e njohur thënia e artë e popullit, për shtatë thuprat.
Ne, një grup bashkëluftëtarësh nga komuna e Vitisë, duke qenë të bindur se edhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë nga komuna jonë dhe nga komunat tjera gjithandej Kosovës, do të mbështesin mendimin tonë dhe i bashkohen gëzimit tonë.
Prandaj, kërkojmë nga komandantët e lartë përmendur, që ky koalicion të mos jetë vetëm koalicion parazgjedhor sa për të fituar zgjedhjet, por të punohet që ky koalicion të shndërrohet në një subjekt të vetëm.
Ju komandantë të nderuar, që ditët dhe guxuat të krijonit UÇK-në. Ju, që ditët dhe guxuat të udhëhiqnit luftën çlirimtare. Ju, që shpartalluat ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serb.
Ju, që i sollët lirinë këtij vendi, dhe krijuat shtetin tonë, Republikën e Kosovës. Ju edhe këtë koalicion mund ta bëni një subjekt të vetëm.
Ju komandant jeni NE! Ne, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
E kush di dhe mund më mire se NE ta përparoj këtë vend?
E kush e do dhe e mbron këtë vend më shumë se NE, që e lamë me djersën dhe gjakun tonë?
E kush mund para nesh ta bënë Kosovën, Shqipëri?
Të gjitha thuprat bashkë nuk ka kush që mund t’i thyej!
Me NE të bashkuar nuk do të ketë më etiketime, akuza e burgosje për bashkëluftëtarët tanë!
Me Respekt, bashkëluftëtarët