Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Basha i ka quajtur “të pabaza” konstatimet e Kushtetueses, teksa ka thënë se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Rashiq ishte në harmoni me Rregulloren dhe Kushtetutën.
Ai ka thënë se zgjedhja e Rashiq për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb.
“Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit. Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Basha.
Basha ka bërë me dije se ka pranuar njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe se vlerëson se i njejti “është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka shkruar Basha ndër të tjera.

















