Akademinë politike të të rinjve demokratë, Lulzim Basha e shndërroi në një takim shpjegues se Partia Demokratike në opozitë ka reflektuar për gabimet e qeverisjes 8-vjeçare. Ai mori shkas nga ligji për importin e mbetjeve, për ta treguar si model të ndryshimit të një partie në opozitë, për t’u bërë e besueshme te qytetarët.
“Qytetarët kërkojnë prova nga unë, nga Partia Demokratike, nga deputetët tanë nga skuadra jonë e sotme dhe e nesërme. Nëse afrohemi me sinqeritet dhe kjo varet nga përgjigjja që marrim. A vijmë të vetëdijshëm që edhe ne kemi bërë gabime, që i kanë kushtuar interesit publik? Dhe ne duhet të japim përgjigje të qarta dhe të prera, se vijmë si një forcë politike që ka reflektuar, pavarësisht rekordit tonë politik, ne kemi pasur stokun tonë të gabimeve. Gabime, të cilat pa dyshim patën rolin e tyre në rotacionin politik të vitit 2013. Arritëm shumë, por duhet të jemi kokulur t’iu themi shqiptarëve: Po, ne kemi gabuar”, tha Basha.
Lulzim Basha e përsëriti ndjesën publike për qëndrimin e mëparshëm të Partisë Demokratike për lejimin e importit të mbetjeve dhe mbrojti vendimin e opozitës për të kërkuar referendum.
“Ka të bëjë me konceptin tonë për demokracinë. Nëqoftëse një numër mjaftueshëm i madh qytetarësh fituan të drejtën që shqiptarët të vendosin për këtë, askush s’mund t’ia marrë më këtë të drejtë. S’mund të vendosë më asesi Rama sot, as Lulzim Basha nesër. Do të vendosin qytetarët me referendum. Me hir ose me pahir, importi i mbetetve duhet të jetë një çështje e vendosur nga populli shqiptar me votë referendumi. Dhe këtu, me ndjesën e qartë e të paekuivoke për ligjin që ne miratuam në vitin 2013, në një Shqipëri më të sigurtë do ishte një vendim që unë do ta merrja ndryshe”, tha Basha.
Basha tha se, tani i takon kryeministrit Edi Rama që t’u shpjegojë shqiptarëve arsyet e ndryshimit, dhe pse sot, me hile dhe pabesi, rikthen importin e plehrave.
/ Top Channel