Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në fjalën e tij në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u zhvillua në Beograd, foli edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Ai tha se nuk mund të përdoret standart i dyfishtë nga Beogradi, i cili kërkon të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe nuk respekton të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi.
Kreu i demokratëve euroatlantikë adresoi disa shqetësime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, siç janë pasivizimi i adresave, mos lejimi i teksteve shkollore dhe simboleve kombëtare, mos integrimi i shqiptarëve në administratën publike dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
“Kam pasur mundësinë të vizitoj komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Ata më paraqitën shqetësime që jam i sigurt se i janë paraqitur gjithashtu edhe autoriteteve në Beograd. Kjo është një çështje e vjetër e pasivizimit të adresave. Kjo përjetohet dhe shihet nga popullsia shqiptare atje, si një pastrim etnik i heshtur i këtij rajoni. Pra, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga autoritetet në Beograd me transparencë dhe në përputhje me angazhimet që kanë në kuadër të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.
Të gjitha këto kufizime të Beogradit, Basha tha se shqiptarët e këtij rajoni e shohin si një pastrim etnik i heshtur.