Tre kushtet e opozitës për kandidatët: Të painkriminuar, të mos rrisin taksat dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është njohur sot me shqetësimet e banorëve të Krujës dhe Fushë- Krujës. Qytetarët janë ankuar per abuzimet e mëdha me faturat e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit, pamundësinë për të siguruar bukën e fëmijëve, mbylljen e bizneseve, rënien e fuqisë blerëse dhe pasigurinë e madhe që ekziston për jetën dhe pronën.
Pronare “Fast—Food”: Nuk ka ku të shkojë më keq më. Është shumë dobët në krahasim me më parë.
Basha: Ka rënie?
Pronare “Fast—Food”: Nuk nxjerrim dot ushqimin e fëmijëve. Shumë dobët.
Basha: Sa veta jeni të punësuar?
Pronare “Fast—Food”: Unë vetë. Ka punuar në emigracion për të hapur këtë dyqanin. Tani çfarë të paguajmë? Jam gati ta mbyll fare.
Banor i Krujës: Dy vite më parë kam punuar në ndërtim, tani pas dy vitesh jam pa punë. Kam 5 fëmijë. Nuk marr asnjë lek në Shqipëri. Thesin e miellit e kam marrë pa lek. Jam pa asistencë as ndihmë ekonomike.
Banor i Komunës Thumanë: Unë nuk kam pare me pagu dritat, as ujët. Të vijë Edi Rama ose Ilir Meta tek shpija ime të shohin çfarë gjendje kam në shpi.
Banore e Komunës Thumanë: Dua të them se është hequr ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Qeveria aktuale e ka hequr dhe kjo është një shqetësim për gjithë komunitetin. Kanë qenë 85 persona me ndihmë ekonomike, jepet vetëm tek 30 prej tyre. Ndërkohë që pjesa tjetër jetojnë në varfëri të skajshme.
Invalid pune: Prej dy vitesh më kanë hequr ndihmën ekonomike, edhe pse kam një sëmundje shumë të rëndë në trup. Kam dy fëmijë. Jetoj me një dhomë, pa drita, fëmijët e mi jetojnë pa bukë. Më mirë të vijnë të më vrasin sesa të jetoj kshu. Jam i sëmurë. Kam shku tek Veliaj për ndihmën sociale, më kanë nxjerrë pastrueset. Të vijnë të më shohin. Jam i sëmurë, nuk i kam bërë gjë kurrë kujt, nuk kam vjedhë, nuk kam ndjekje penale. Dua vetëm të shoh ata fëmijë të qeshin si gjithë fëmijët e tjerë.
Basha: Sigurisht që nuk ke vjedhur. S’ke bërë as trafik droge, se përndryshe do të ishe kandidat për kryetar bashkie.
Banor i Krujës: Kemi mbetur mes katër rrugëve sepse këta investojnë vetëm për njerëzit e vetë. Energjinë nuk kemi me çfarë ta paguajmë. Ne jetojmë me bujqësi por ata u japim vetëm një pjesë kredi e naftë. Nuk kemi marë asgjë.
Banor i Krujës: Këtu është bërë më keq se në Kukës. Të rinjtë janë pa punë. Këtu përveç gëlqeres dhe gurit s’ka punë tjetër. Hallet e Krujës janë të mëdha. Kemi shpresë të ju. Ka familje pa bukë ndërsa Edi Rama dhe Ilir Meta rritën dritat.
Kryetari i PD deklaroi se qytetarëve u është vrarë e sotmja dhe e ardhmja nga një qeveri e pandjeshme për hallet e tyre, pa sy për dhimbjen e tyre, pa veshë për ankesat e tyre, pa shpirt që të ofrojë zgjidhjen qoftë edhe më minimale për mjerimin, skamjen, papunësinë, pamundësinë që është ulur këmbëkryq në çdo vatër krutane, si në çdo vatër shqiptare
“Dy vjet më parë erdhën në këto rrugë me tam-tame të mëdha, u premtuan krutanëve ulje taksash, çmimesh, rritje të fuqisë blerëse, vende të reja pune, parajsën e turizmit por çfarë ka ndodhur?! Çfarë ka ndodhur këtu, në këtë qytet? Vendet e punës janë pakësuar, janë mbyllur sepse taksat janë rritur, çmimet janë bërë të papërballueshme, çmimet e shportës dhe efekti ndihet drejtpërdrejt në pamundësinë e kryefamiljarëve krenarë të këtij qyteti por shkojnë kokëulur para fëmijëve të tyre, pasi një pjesë e madhe e tyre nuk u jep dot as bukën e përditshme pa u zhytur më shumë në borxh.
Një pallat i tërë këtu në Krujë e ndjeu rilindjen , kur i morën nga i pari tek i fundit dhe i rrasën në birucë për faturat abuzive e të larta të energjisë që sot janë dyfish më të larta, afrofe dhe abuzive e të dërguara jo nga nëpunës të ndershëm të shtetit por nga një kast hajdutësh që i thotë vetes OSHEE.
Ky është realiteti sot në Krujë i çmimeve të larta, taksave të larta, çmimeve të papërballueshme të karburantit e faturave të kripura të energjisë. E çfarë bëjnë këta? Tallen nga mëngjesi në darkë me njerëzit
Dje e patë në Kuvend, ku ne çuam propozimet për heqjen e shtesës së taksës prej 240 lekë /litër mbi karburantet që i ka vënë Edi Rama, se si u tallën si hijena, se si refuzuan që të përmbushin premtimin e tyre sepse ishte premtim i tyre për të ulur me 14% taksën, TVSH-në mbi energjinë. I hodhën poshtë që të dyja, i hodhën poshtë të dyja pa u skuqur, pa u zverdhur. Po pse e bëjnë këtë?! E bëjnë këtë sepse nuk i tremben gjykimit të krutanëve e bëjnë këtë sepse nuk llogarisin edhe krutanët, e bëjnë këtë se llogarisin te krimi dhe kriminelët. Ju e dini këtë fort mire, por ora e përgjigjes po vjen. Ora e përgjigjes po vjen nga Kruja dhe gjithë Shqipëria. Çfarë përgjigje do ti japë Kruja Rama-Metës që po e merr edhe përgjigjen e fundit nga xhepi i krutanit dhe po e lë pa shpresë, pa bukë, pa punë, pa të ardhme. Premtuan uljen e çmimit të energjisë dhe të naftës dhe i kanë çuar më të larta se kurrë më parë. A do ta pranojë Kruja këtë? A do ta ulni kokën ju? A do të pranoni të trajtoheni si bagëti? Unë e di që jo!” – theksoi zoti Basha.
Zoti Basha theksoi se Edi Rama dhe Ilir Meta tallen me qytetarët duke u sjellë persona të inkriminuar për kandidat, siç ndodhi dhe në rastin e Krujës, ku kandidati i propozuar është i skeduar si trafikant droge.
“Nuk mjafton që u kanë hapur plagë Krujës e krutanëve, po i hedhin dhe kripë plagës duke sjellë këtu në Krujë fytyrat e shëmtuara të krimit të lidhur me pushtet, të pushtetit të veshur me petkun e krimit, siç është rasti i njerëzve që kërkuan votën këtu me 23 qershor e që duan prapë të vijnë këtu me 21 qershor, ndërkohë që i kanë hesapet e hapura me drejtësinë italiane. Po të fusësh emrin e Artur Bushit në “Google”, çfarë del?! Del një aferë korruptive, kriminale. Kriminale, sepse është e lidhur me trafikun e drogës dhe korruptive sepse do t’i dalin petët lakrorit shumë shpejt. Kjo është oferta e dytë. Erdhën me mashtrime dhe gënjeshtra dhe prodhuan mjerim dhe varfëri, tani herën e dytë duan ta marrin me krim, me presion. Kështu i trajtojnë njerëzit këta, si dele, si bagëti. Edhe delja dhe bagëtia trajtohet me më shumë dinjitet se sa ç’trajton dyshja Rama-Meta Krujën, krutanët, banorët e kësaj zone, banorët e gjithë Shqipërisë.”
Në Fushë- Krujë tregtarët u ankuan për taksat e larta abuzimet me çmimin e energjisë gjobat dhe faturat afrofe, shpërthimet me tritol dhe vjedhjet. Sipas qytetarëve të Fushë- Krujës sa herë që njoftohet Policia ankohet se nuk ka karburant për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Tregtari: Dobët fare, ska blerës
Basha: Sa ka që ka ra xhiro
Tregtar: Po një vit e këtej ka…, s’po hapet asnjë perspektivë.
Basha: Po taksat?
Tregtar: Taksat na kanë mbërthy shumë keq
Basha: A është rrit çmimi i transportit?
Tregtari: Po, është rrit shumë, i naftës, dëgjojmë në televizor ndryshim shumë, ndryshim s’ka.
Tregtari: Kemi fillu edhe ne me rujt veten kur i thonë llafit për arsye se ka pas shumë grabitje, kanë grabit edhe komshinjtë e mi këtu afër. Tani kam fillu tu marr masat e sigurisë për vete.
Basha: Po policia?
Tregtari: Policia, vijnë pas gjysmë ore, i kam marrë unë në telefon kur është grabit edhe komshiu. Kur erdh policia, iu blloku edhe rruga e s’arriti kush me i kap. Ju mbaron nafta zakonisht
Basha: kur vjen krimi, mbaron karburanti. Naftën e merr krimi, policisë i lenë ujin.
Tregtari: Dritat na i kanë pre komplet, , kan fut afrofe, si u ka desh qejfi, me një copë dyqan me drita të thjeshta, ka fut 200 mijë, ka fut 180 mijë afrofe pa e dit fare se kam kontratë, as kam vu firmë, absolutisht. Kur vjen puna, vjen e më shkëput dritat dhe jam errësirë. Ke për të dal edhe tutje e do i shohësh të gjithë andej, komplet janë me gjenerator, pa drita fare.
Basha: Po faturat, i keni paguar?
Tregtari: I kanë pru afrofe fare, pa lidh asnjë lloj kontrate, asnjë lloj emri, vetëm me llampa 200 mijë lekë drita.
Tregtari: Vijnë tregtarët në punë dhe ka raste nga mëngjesi në darkë nuk bëjnë asnjë lloj pune, absolutisht. Me tatimet e të gjitha, ka shkuar në zero gjithçka.
Qytetar : Po tallen me moshën e tretë, me pensionistët. Mua mi kanë mbajt letrat dy vjet e dy muaj, pa më dhënë pensionin. Unë kam një librezë të rregullt, i lëmë sistemet që kalojnë por drejtësia të shkojë në vend, të verifikohet.
Qytetar: Këtu po bëhet tmerr i zi o kryetar
Së bashku, në një aksion të fuqishëm politik deri më datën 21 qershor, – theksoi kryetari i PD, do t’i tregojmë kësaj qeverisjeje se shqiptarët nuk e pranojnë zgjedhën e varfërisë dhe zgjedhën e krimit, se veglat e vjetra të diktaturës nuk mund t’i pranojmë të rikthehen e të riciklohen si mjete sundimi nga pinjollët e diktaturës.
“Të ngrihemi këtu në Krujë e në çdo qytet tjetër, të ngrihemi në Tiranë në një protestë të pandalshme për të treguar me forcën e sovranitetit popullor se nuk e pranojmë këtë regjim dhe për të kulmuar me votën tuaj më 21 qershor , për të ndëshkuar me votën tuaj e për t’i hapur me votën tuaj rrugë ofertës sonë të re.
Cila është oferta jonë e re? Së pari, oferta jonë e re është oferta e një qeverie për njerëzit, që nuk vjen t’ju shohë një herë në katër vjet e t’ju marrë votën e pastaj ju harron fytyrat, por që të rrinë këtu me ju, të qajnë hallet me ju, të gjejnë zgjidhjet me dhe për ju; e faljes pa dallim të kamatë-vonesave abuzive dhe faturave afrofe për krutanët e gjithë qytetarët e tjerë të vendit që kanë rënë pre e këtij instrumenti të poshtër, të ulët të nënshtrimit ekonomik, në këtë kohë të vështirë krize, e uljes së taksave”- deklaroi kreu i PD.
Kryetari i PD ka bërë të ditur para qytetarëve të Krujës dhe Fushë – Krujës e përmes tyre të gjithë Shqipërisë se kandidatët e PD dhe aleatëve të saj do të duhet të nënshkruajnë një kontratë me tre pika para se të konfirmohen si të tillë.
“Një gjë ju premtoj, një kusht kam për çdo kandidat të PD dhe çdo kandidat që vjen të garojë me PD nga aleatët; të plotësojë kontratën me tre pika me qytetarët e vet:
E para, të mos ketë rekorde kriminale Nuk pranon ky popull të udhëhiqet nga kriminelë nuk pranon Kruja të udhëhiqet nga kriminelë;
E dyta, të zotohet se asnjë taksë nuk do të rrisë në 4 vjet, të gjitha taksat do i ulë në maksimumin që jep ligji;
E treta dhe më e rëndësishmja, të zotohet që dera e tij apo e saj do të jetë e hapur 24 orë për qytetarët, hallet e problemet e tyre.
Kush kërkon besimin e krutanëve, kush kërkon besimin e bashkëqytetarëve në emër të PD duhet patjetër të firmosë një kontratë të tillë në shesh të qytetit, para të gjithë bashkëqytetarëve të vet. Këtë fjalë ju a jap sot dhe do ta mbaj për Krujën e për çdo bashki tjetër të vendit për zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit.
Ne do të flasim me votë në 21 qershor por ne nuk do të rrimë të heshtur sepse zullumi po trashet ditë për ditë, laku po shtrëngohet në fytin e shqiptarëve, ndaj ju siguroj se bashkë me përpjekjen tonë madhore demokratike me qytetarët e Shqipërisë, për t’u rezervuar më 21 qershor përgjigjen dinjitoze që shqiptarët gjithmonë u kanë rezervuar atyre që mendojnë se mund t’i sundojnë, ne ditë për ditë duhet të jemi në këmbë për të drejtat tona.
Këtu nga Kruja, dua t’i jap një mesazh dyshes Rama-Meta. As korrupsioni galopant që bëni me fondet që vidhni nga xhepat e qytetarëve të pamundur të Shqipërisë, as aleanca juaj me krimin nuk do ju shpëtojë nga ora e llogarisë. Ora e llogarisë po vjen dhe llogaria thotë: Rama ik, Meta ik!
Le t’i hapim rrugë një oferte të re, për një të ardhme të re, le të angazhohemi me krutanët e krutanet më të mira, për të ndërtuar atë ekip që politikën e heq si lak në fytin e qytetarëve dhe e kthen në instrument për të përmirësuar jetën e qytetarëve e heq nga duart e qeverisë dhe e kthen në duart e qytetarëve! Fjalën e keni ju, të drejtat i keni ju, radhën e keni ju. Askush nuk guxon t’ju a marrë, ndaj ushtrojeni me mençuri, trimëri kurajë, për interesat tuaja, veten e fëmijët tuaj!”.
Zoti Basha i ka konsideruar shpifje për të hequr vëmendjen nga kriza ku keqqeverisja i ka futur shqiptarët akuzat e bëra nga ministri i Brendshëm ndaj tij.
“Shpifjet dhe akuzat e lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet nuk mund të heqin vëmendjen nga akti kriminal i djeshëm i hedhjes poshtë të amendamenteve tona për uljen e çmimit të naftës dhe energjisë. Çdo akrobaci, çdo përpjekje për t’i trajtuar shqiptarët apo mediat e shqiptarëve si dele ka dështuar me turp. Ajo e djeshmja nuk është tjetër veçse një përpjekje e dështuar me një qëllim, që shqiptarët të harrojnë se Edi Rama dje jo vetëm dështoi të mbante premtimin por në mënyrë kriminale, kur ne i dhamë shansin e dytë të mbante këtë premtim, e shkeli për herë të dytë, duke shkelur e poshtëruar shqiptarët për çmimin e energjisë dhe dje pranoi ta mbajë çmimin e naftës më të lartin në rajon, duke mos pranuar amendamentin tonë për heqjen e taksës që ai e shtoi me 240 lekë për litër. Kjo do të thotë që çdo shqiptar dje që mund të përfitonte 10 mijë lekë në muaj nga ulja e taksës së energjisë nuk e përfiton këtë, kjo do të thotë që për çdo shqiptar kosto e rritur e bukës, ujit, vajit, sheqerit, miellit për shkak të rritjes së taksës së karburantit do të vazhdojë të mbetet e lartë sepse Edi Ramës nuk ia ndien për hallet që po kalojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë.
Këto janë çështjet e vërteta që bashkojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë, të tjerat janë përralla të njerëzve të intoksikuar nga krimi lidhjet me krimin dhe substancat narkotike që vetë shokët e tyre i denoncojnë se i marrin ditë për ditë në hundët e tyre të pista” –deklaroi z. Basha.