Afera e CEZ-it ishte kryefjala në fjalimin e gjatë që Lulzim Basha mbajti në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, ku bëri lidhjen mes marrëveshjes së kaluar në Kuvend për zgjidhjen me mirëkuptim të përplasjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it dhe skandalit të mbledhjes së borxheve prej kompanisë DIA.
“Qeveria shqiptare hoqi dorë nga të gjitha gjyqet civile, por mori përsipër fshehjen dhe ndalimin e ndjekjes penale ndaj Hajsek dhe të tjerëve, pavarësisht se ishin denoncuar nga qeveria “Berisha”. Opozita akuzon qeverinë Rama-Meta si shpërdorues të të paktën 600 mln euro pasuri të shqiptarëve. Ka njerëz që mendojnë se marrëveshja kriminale e 31 korrikut 2014 me CEZ dhe skandali i aferës CEZ-DIA janë dy gjëra të ndryshme, por ato janë të lidhura dhe pjesë e një skandali të vetëm. Lidhja që i bën bashkë është klauzola e ndalimit të çdo kallëzimi, hetimi në proces dhe çdo hetimi të asaj që ka ndodhur gjatë qëndrimit të CEZ-it në Shqipëri. Kjo dhe kalimi në votim në heshtje i shërbyen varrosjes së një krimi të madh financiar”, tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, janë 350 mln euro fatura të njohura dhe të papaguara nga ana e CEZ ndaj KESH-it dhe OST-së, që qeveria shqiptari i fali përmes marrëveshjes kompanisë çeke, shto këtu edhe 15 mln euro detyrime tatimore me vendime gjyqësore të formës së prerë.
“Qeveria Rama-Meta jo vetëm që ja fali CEZ në tavolinë si mall skarco, por e doroviti atë edhe me 95 milionë euro të tjera”, shtoi Basha.
Kreu i PD-së ripërsëriti se Shqipëria ka humbur 2 miliardë euro që mund të fitonte në Arbitrazh ndaj kompanisë çeke.
Sipas opozitës këto janë të vërtetat e atij që e quan skandali korruptiv i shekullit, nga i cili nuk do të tërhiqet pa e zbardhur. Për këtë, Basha bëri thirrje që të votohet nisma e tyre në Kuvend për hetim ndërkombëtar dhe përmendi edhe nismën tjetër, atë të dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar klauzolën që ndalon hetimin e veprimtarisë së kompanisë CEZ në Shqipëri.
“Ne nuk na ndal dhe nuk do të na ndalë as diversioni i trashë dhe as ai i hollë i Ramës dhe i Metës”, tha Basha.
/ Top Channel