Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilëson vulosje të kriminalizimit në pushtet vendimin e gjykatës për të pushuar çështjen ndaj dy deputetëve të mazhorancës Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka. Në një status në facebook, Basha shkruan se kapja dhe marrja peng e institucioneve nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim është vepra e zezë e Ramës.
“Lajm i zi për Shqipërinë, demokracinë dhe parlamentarizmin shqiptar. Çdo shqiptar që pa me zë dhe figurë skenat e shëmtuara të sulmit fizik kundër fjalës së lirë dhe opozitës, është sfiduar. Partnerët tanë amerikanë dhe europianë janë sfiduar. Në vend të dekriminalizimit, si një nevojë urgjente dhe jetike e politikës dhe shoqërisë shqiptare, Edi Rama vulosi veprën e tij të kriminalizmit të pushtetit. Kapja dhe marrja peng e institucioneve nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim është vepra e tij e zeze. Beteja jonë për dekriminalizmin nuk ndalet, reagimi i qytetarëve është detyrë. Me votë, me gjykimin suprem të votës popullore- kjo është zgjidhja.”- shkruan Basha.