Basha: Duam qeveri antimafie, të largohet Rama

E publikuar: 18/10/2017 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike me aleatët e saj u mblodhën në një tryezë, së bashku me drejtues të LSI-së, për të diskutuar aksionin e tyre politik pas fakteve që kanë dalë nga dosja “Habilaj”.

Pas përfundimit të takimit, Basha foli për mediat duke thënë se Shqipëria ndodhet përpara një gremine të vërtetë dhe fronti i bashkuar opozitar kërkon largimin e Kryeministrit.

“Fronti i bashkuar opozitar kërkon largimin e Kryeministrit Rama, përfitues i drejtpërdrejt nga krimi dhe ministrat e tij të lidhur me krimin. Fronti i bashkuar opozitar kërkon krijimin e një qeveria antimafia”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme të lidhjeve të krimit me politikën.

“Çfarë do të bëjmë më tej? A mund t vazhdohet më kështu? A mund t’i besohet kësaj kupole në pushtet? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një mazhorancë të kapur nga krimi? Përgjigja për çdo shqiptarë është, jo”, u shpreh Basha.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, sipas të cilës, aksioni opozitar kundër atij që e cilësoi si narkoshteti i Ramës sapo ka nisur, pasi opozita e bashkuar do të mbajë të tjera tryeza në ditët në vazhdim.

Sipas Kryemadhit, ky front i përbashkët kundër krimit do të jetë më inspiruesi në popull, duke mos përjashtuar edhe protestat, të cilat sipas, Kryemadhit nuk i bëjnë partitë politike, por populli dhe populli duhet të besojë tek ata që i drejtojnë.

“Klasa politike t’i japë fund tranzicionit të gjatë politik. Jemi i vetmi vend në Europë që ende nuk kemi dalë nga tranzicioni”, tha Kryemadhi./ Top Channel