Barcelona-Roma, supersfida e të Martës në Champions

E publikuar: 23/11/2015 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edicioni 2015-2016 i Uefa Champions League, pritet të zbulojë këtë të Martë të tjera skuadra të kualifikuara për në fazën e 1/8-ave, pasi në program për të luajtur janë 8 ndeshje të vlefshme për grupet E, F, G dhe H. Supersfida e ditës do të jetë ajo që do të zhvillohet në Camp Nou mes Barcelonës dhe Romës. Blaugranat kanë nevojë, për një barazim për të siguruar kualifikimin por edhe vendin e parë në grupin E, dhe pas asaj fitoreje fantastike në El Clasicon përballë Realit, është e pamundur ta imagjinosh se do të hasin vështirësi ndaj Romës së Rudi Garcias. Në orën 18-të do të luhet sfida e parë e këtij grupi ajo mes Bate Borisov dhe Bayer Leverkusen që do të zhvillohet në Bjellorusi. Një takim ky që mund të vendosë shumë përsa i përket vendit të dytë në grupin E. Sfida të lehta në letër parashikohet të kenë edhe Bayern Munich dhe Arsenali.

Bavarezët e Pep Guardiolës do të presin në Mynih Olympiacosin për të siguruar vendin e parë në grupin F, ndërsa Arsenali do të kërkojë të mbajë gjallë shpresat e kualifikimit me një fitore ndaj Dinamos së Zagrebit, edhe pse gjithcka do të varet nga ajo që do të prodhojë sfida mes Bayernit dhe skuadrës greke. Në grupin G, Porto dhe Chelsea do të kërkojnë me cdo kusht të mbyllin cështjen e kualifikimit, kur të përballen respktivisht me Dynamon e Kievit dhe Maccabi e Tel Aviv-it. Në orën 18 përvec takimit Bate-Leverkusen, do të luhet edhe ndeshja mes Zenitit dhe Valencias, e vlefshme për grupin H. Skuadrës së Andre Villas Boas që është zyrtarisht e kualifikuar do ti mjaftonte të mos humbiste me dy gola diferencë për të siguruar matematikisht edhe vendin e parë. Takimi tjetër i këtij grupi do të zhvillohet në Gerland mes francezëve Olympique Lyon dhe belgëve të Gent.