Rivalë jo vetëm në fushë, por edhe në llogaritë bankare. Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo përplasen në shumë duele mes tyre, duke filluar që në sfidën Barcelona-Real dhe për të vazhduar në atë të Topave të Artë, golave, asisteve por edhe në thellësinë e xhepave. Portali spanjoll, “Sportyou” ka publikuar listën e lojtarëve më të paguar në radhët e dy gjigandëve të La Liga-s, ku argjentinasi kryeson me 21.2 milionë Euro në sezon. Argjentinasi është dukshëm në avantazh ndaj luzitanit, i cili edhe pse rinovoi disa kohë më parë, sërish mbetet në vendin e dytë me 17 milionë Euro për çdo sezon. Gjithsesi, Reali është dominuese në listën e gjatë pasi vendi i tretë shkon për Gareth Bale që arkëton 11 milionë, i ndjekur nga Ramos me 10, po aq sa Neymar e Suarez.
Në renditjen e katalanasve, Iniesta me 7.5 dhe Rakitic me 6-5 mbyllin klasifikimin e 5 të parëve. Ata që arkëtojnë më pak nga klubi katalanas janë Sandro, Masip e Munir me nga 1 milionë. Ndërkohë në Madrid, Benzema ka një kontratë nga e cila përfiton pothuajse sa gjysma e shumës së Ronaldos, ndërsa James e Kroos kanë firmosur për 6 milionë në sezon. Dy lista të cilave mund t’u afrohen vetëm klubet angleze që vitet e fundit kanë nisur politikën e pagave të “çmendura” për lojtarët e tyre dhe një shembull për këtë është Manchester City ku shumë prej titullarëve përfitojnë mbi 300 mijë Paund në javë.