Barcelona, përfundon pezullimi në merkato nga FIFA

E publikuar: 04/01/2016 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita e shumëpritur erdhi, Arda Turan dhe Aleix Vidal mund të luajnë për blaugranat. Janari ishte muaji që tifozët dhe drejtuesit e Barcelonës prisnin për të hequr përfundimisht embargon e transferimeve të vendosur nga FIFA. Liga Profesionale e futbollit në Spanjë i ka derguar një fax klubit katalanas ku informohet se drejtuesit mund të bëjnë federimin e dy lojtarëve. Me anë të këtij dokumenti trajneri Luis Enrique do të ketë mundësi që të grumbullojë dyshen Turan-Vidal, për takimin e radhës kundër Espanyol për Kupën e Mbretit.

Mesfushori Arda Turan do të mbajë veshur fanellën me numër 7. Turku u ble për shumën e 38 milionë Eurove nga skuadra e Atletico Madrid, plus 7 milonë bonuse, ndërsa spanjolli Vidal 18 milonë dhe 4 të tjera bonuse. Aleix do të mbajë mbi shpinë numrin 22. Finalizimi i marrëveshjeve u bë që në merkaton e verës, por për shkak të penalizimit ata u detyruan të qëndronin në pritje deri në zhbllokimin e merkatos së katalanasve. Ndërkohe barazimi më Espanyol në kampionat, duket se është hedhur pas krahëve, pasi skuadra po mendon për takimin e radhës. Ekipi zhvilloi një seancë stërvitore me dyer të hapura, ku tifozët e pranishëm i qëndruan pranë skuadrës.