Luis Enrique nuk dëshiron t’i humbasë pjesët e mozaikut të skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm pavarësisht zërave për shitjen e 5 lojtarëve në mënyrë që klubi të sigurojë një pjesë të parave për blerjen e Paul Pogba. Sipas lajmit që raporton e përditshmja “Sport”, trajneri asturial është shumë i kënaqur me grupin aktual, duke refuzuar të shesë disa prej tyre, të paktën deri në zhbllokimin e merkatos së Barcelonës në vitin 2016.
Rregullat e fair play financiar nuk e lëjojnë skuadrën katalanase që të bëjë çmenduri pas çmendurie në merkato dhe në këtë mënyrë, kampionët e Europës kishin planifikuar shitjen e 5 elementëve për të përforcuar mesfushën me një të vetëm, talentin francez Paul Pogba. Sipas një shkrimit të publikuar disa orë më parë po në gazetën “Sport”, lista e largimeve të mundshme ishte gati. I pari në radhë qëndronte sulmuesi Pedro Rodriguez, i ndjekur nga Bartra, Montoya, Deulofeu dhe Masip.
Pedro dhe Bartra janë dy lojtarët që kanë edhe më shumë kërkesa pasi për ta janë interesuar klube të ndryshme nga Premier League, Ligue 1 dhe Seria A. Për të dy, Barcelona kishte planifikuar të arkëtonte rreth 35 milionë Euro, por Luis Enrique i konsideron si shumë të rëndësishëm për sezonin e ri ku dëshiron të përsërisë suksesin e këtij viti me 3 trofe të fituar. Milionat e mundshme që Barcelona planifikoi të arkëtonte nga shitjet ishin 50, çka do të plotësonte nje pjesë të madhe të shpënzimeve për Pogba, në gjurmët e të cilit është vënë edhe Manchester City./ss/