Një shqiptar te Barcelona. Bëhet fjalë për Shkodran Mustafin, i cili pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit blaugrana dhe në një nga dy sesionet e ardhshme të merkatos mbrojtësi i Valencias mund të transferohet pikërisht te skuadra e Luis Enriques.
Paraqitjet e Mustafit gjatë vitit të kaluar me fanellën e Los Che por edhe në ndeshjet e para të këtij sezoni nuk kanë mbetur pa rënë në sy dhe te Barca shohin te 23-vjecari i përfaqësueses gjermane futbollistin ideal për të përforcuar qëndrën e mbrojtjes. Valencia e bleu lojtarin nga Gostivari për vetëm 8 milionë Euro nga Sampdoria në verën e vitit 2014, por për të lënë të lirë futbollistin kampion Bote, klubi nga Mestalla kërkon rreth 40 milionë Euro, një shifër disi e lartë kjo edhe për Barcelonën.
Megjithatë sikur të mos mjaftonin kërkesat e larta të Valencias për kartonin Mustafit, klubi katalanas duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Realit të Madridit dhe Bayernit, dy ekipeve të tjera që interesohen për shërbimet e 23-vjecarit.
Në Janar Barcelona mund të veprojë sërish në merkato pasi i përfundon pezullimi që i është vendosur nga FIFA, dhe një nga objektivat kryesor të Barcës në këtë sesion merkatoje do të jetë Shkodran Mustafi. Megjithatë nga Valencia blaugranat nuk pëlqejnë vetëm mbrojtësit e kombëtares së pancarave por edhe 21-vjecarin portugez Joao Cancelo.