Në Berlin ishin duart Xavi Hernandezit ato që ngritën drejt qiellit trofeun e 60-të të Champions League. Barcelona fitoi 3-1 ndaj Juventusit në finalen e kompeticionit duke u kurorzuar për herë të pestë si “Mbretëresha” e kontinentit, për të plotësuar kështu atë që në Katalunjë e quajnë “manita” europiane. Golat e Rakiticit, Suarezit dhe Neymarit ishin ato që vendosën për Barcën, me Enriquen që fitoi për herë të parë këtë trofe si trajner, Me Xavin që luajti ndeshjen e fundit me ngjyrat blaugrana dhe me Barcën që për herë të dytë në historinë e saj arriti të realizojë tripletën e famshme, pas asaj të vitit 2009. Juventus provoi të zgjaste duart drejt Kupës duke bërë një ndeshje të madhe dhe të denjë për një finale, por në fund fituesja duhet të ishte vetëm një dhe këtë herë, ajo mbante emrin e Barcelonës.
Mbrëmja e Championsit ajo që krijon legjendat e kësaj loje nuk mund të niste vecse nën një qiell plot me yje, që ishte dhe tema e përzgjedhur nga organizatorët për këtë finale. Një koreografi e jashtëzakonshme në ceremoninë hapëse krijoi pikërisht yjet e Champions League mbi tapepin e “Olympia Stadion” , ndërsa gjithcka u finalizua me imazhin e portës së Bradenburgut, që i la vendin më pas ekipeve për të hyrë nga porta kryesore në kërkim të trofeut më të lakmuar të futbollit kontinental. Një ndeshje ku shihej si favoritja kryesore, Barcelona e nisi me golin më të shpejtë në historinë e saj në një finale, me Neymar dhe Iniestën që kombinuan bashkë për të nxjerrë në goditje Rakiticin.
Nëse për Barcelonën nuk kishte nisje më të mirë, për Juventusin nuk ishte fillimi që prisnin. Italianët megjithatë u përpoqën të korigjohen me një goditje të Vidal, por që ishte lartë mbi kuadrat. Në kuadrat ishte ndërkohë goditja e Alves në të 14-tën për Barcën, por për fat mes shtyllave të bardhezinjve qëndronte një super portier si Buffon. Në epërsi, Barca mori kontrollin e topit duke e xhiruar atë në fushë për minuta të tëra, aq sa deri në të 39-tën munguan rastet, deri në castin kur Suarez provoi me majën e këmbës të gjente rrjetën por topi kaloi vetëm ngjitur me shtyllën. Uruguajani kërkoi duelin me Buffon dhe 1 minutë më pas, por italiani e fitoi dhe njëherë tjetër atë. Juve megjithatë nuk dorëzohej dhe në të 44-trën Marchisio i kujtoj Ter Stegen se ka punë dhe për të. Pjesa e dytë nisi në të njëjtën mënyrë si e para, me katalanasit që në të 4-trën minutë ju afruan sërish golit pas një aksioni perlë të tridhëmbëshit të tyre, por goditja e Mesit nuk ishte ajo e duhura. Atë që nuk bëri Messi, e bëri Morata, lojtari që solli deri në finale Juventusin me një gol ndaj Realit, vetëm se këtë herë e ndëshkuara ishte Barcelona.
Goli vuri në panik Barcelonën ndërsa i dha zemër Juventusit, me yjet bardhezinj që filluan të ndriconin më shumëm nën qiellin e Berlinit, aq sa në të 62-tën, Tevez i futi dhe njëherë të dridhurat blaugranave. Dy minuta më pas Ter Stegenin e vuri në provë dhe Pogba, por goditja e tij ishte qëndrore. Pogba u bë protagonist dhe në të 66-tën, me një pretendim për 11-metërsh pas një “kacaftytje” në zonë me Dani Alveshin. Në momentin më të mirë të Juventusit, golin e shënoi Barcelona, me një aksion të Messit, goditja e të cilit nuk u kontrollua dot nga Buffon duke i dhënë Suarezit mundësinë e epërsisë dhe të festës.
Festën e kërkoi pak minuta më pas dhe Neymar, por në mënyrën e gabuar pasi goditja e tij me kokë u devijua në dorë me gjyqtarin e portës që e anulloi pavarsisht dëshirës së brazilianit. Juventus megjithatë nuk u dorëzua dhe një dorë për pak sa nuk ja dha dhe Ter Stegen me daljet e tij të gabuara. Ndërkohë të 77-tën, “Olympiastadion” u ngrit në këmbë për të përshëndetur Xavin, që hyri për herë të fundit në fushë për Barcën duke zëvendësuar pikërisht një tjetër gjeni të lojës, si Iniesta.
Në minutat e mbetura, Juventus provoi të conte në shtesë ndeshjen duke rrezikuar dhe me Marchision në të 89-tën, por ëndrrat e bardhezinjve u ndalën te duart e Ter Stegen dhe nga këmbët e Neymar, që në të 97-tën shënoi golin e 3-1 duke i dhënë jetë festës së blaugranave, që kapën prej veshësh trofeun e madh për ta ngritur drejt qiellit plot yje të Berlinit.