Rivaliteti për trofenë e La Ligas ka arritur në pikën më të nxehtë pas humbjes 1-2 të Barcelonës në “Camp Nou” me Valencian. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur në lojë edhe 15 pikë, pra secila nga tre skuadrat kryesuese, Barca, Atletico dhe Real, kanë edhe nga 5 ndeshje për të zhvilluar. Blaugranat dhe “Los Colchoneros” kanë nga 76 pikë, ndërsa “Los Blancos” një pikë më pak. Përsa u përket përballjeve direkte me rivalët, avantazhohet ekipi i Luis Enriques. Në fakt janë disa skuadra kundërshtare që mund ta anojnë peshoren në favor të Barcës, Atletico apo Realit në sfidat e mbetura të sezonit. Kalendari i rezervon Barcelonës përplasje me dy skuadra që luftojnë për mbijetesë, Granada dhe Sporting Gijon, ndërsa tre kundërshtarë të tjerë, Deportivo La Coruna, Real Betisi dhe Espanyoli, janë në një zonë të sigurtë në tabelën e klasifikimit dhe nuk luftojnë për asgjë.
Derbi me Espanyolin në javën e parafundit në fakt është përballja që mund të prodhojë tension për vetë rivalitetin që ekziston mes dy skuadrave të Katalunjës. Nga ana tjetër për Atleticon mbetet e një shkalle të lartë vështirësia transferta në “San Mames” me Bilbaon, sikurse përballjet me ekipet që luajnë të ardhmen në Primera Division, si Levante e Rayo Vallecano. Ndërkohë Reali i Madridit duhet të kalojë fillimisht Villarrealin në “Santiago Bernabeu”, më pas do të luajë derbin me Rayon në Vallecanos. Në sfidat e fundit duhet të kalojë në trasfertë Sociedadin, Valencian në shtëpi për ta mbyllur me Deportivo La Corunan në Riazor.