Të ndodh edhe kështu. Për një lojtar që nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon të paguash 4,1 milionë Euro të tjera nëse fiton trofeun e Uefa Champions League. Bëhet fjalë për Barcelonën dhe Thomas Vermaelen. E besoni apo jo blaugranat nëse triumfojnë në finalen e Berlinit 6 qershorin e ardhshëm përballë Juventusit do të derdhin në arkat e Arsenalit 4,1 milionë Euro shtesë për mbrojtësin belg. Topcinjtë bënë një pazar të mirë me Barcën kur i shitën në verë Vermaelenin që vuante nga një dëmtim dhe ende nuk është riaftësuar plotësisht për të ndihmuar katalanasit me praninë e tij në fushë.
10 milionë Euro ishte kuota fillestare që Barcelona i pagoi Arsenalit për shërbimet e mbrojtësit por duke përfshirë bonuset ky tranferim mund të kapë shifrën e 18 milionë Eurove. 4,1 milionë Euro do të varen nga fitimi ose jo i Championsit dhe me siguri për Barcën në Berlin do të bëjë tifo edhe Arsenali. 29-vjecari belg u transferua te bluagranat në Gushtin e vitit të kaluar. Vermaelen vuante nga një dëmtim në muskul dhe më pas pati probleme edhe me këmbën e djathtë duke iu drejtuar sallës së operacionit në muajin Dhjetor. Ish mbrojtësi i Arsenalit dhe Ajaxit u rikthye në stërvitje vetëm në muajin Prill.
Në 9 Maj Vermaelen u përfshi në listën e të grumbulluarve nga Luis Enrique për ndeshjen me Real Sociedad, ndërsa qëndroi në stol gjatë gjithë 90-minutëshit edhe në sfidën e kthmit ndaj Bayernit në Champions. E cuditshme apo jo por Barcelona për një lojtar që nuk ka debutuar ende nëse shpallet kampione e Europës duhet të paguajë 4,1 milionë Euro shtesë.