Në një intervistë dhënë për kanalin amerikan, CNN, administratorja e deleguar e Milanit, Barbara Berlusconi flet për të ardhmen e saj dhe atë të klubit kuqezi. E bija e presidentit Silvio Berlusconi, ndalet gjatë te ëndrrat e saj për Milanin, duke e pranuar se do t’i pëlqente që ta shikonte sërish skuadrën në një finale të Champions League.
“Kjo është ëndrra e babait tim dhe e të gjithë tifozëve kuqezi. Kam jetuar duke ndjekur lojtarët dhe ambicjet e babait tim. E kujtoj shumë mirë kur Rijkaard më shtrëngonte dorën. Te Milani ka pasur përherë një atmosferë pozitive sepse kemi qenë një familje e madhe”.
Në vijim, Barbara përqëndrohet te objektivat jashtë fushës së blertë, duke e pranuar se kërkon të ndryshojë sa më shumë fytyrën e klubit edhe në aspektin e marketingut.
“Dua t’i jap mundësinë Milanit që të bëhet një klub që të përfitojë të ardhura nga disa drejtime. Unë kam dashur me çdo kusht ndërtimin e shtëpisë së Milanit për të vënë në dukje historinë tonë të suksesshme”.
Prej disa vitesh, Barbara Berlusconi ka marrë një rol shumë të rëndësishëm në hierarkinë drejtuese të klubit ku punon si administratore e deleguar bashkë me Adriano Gallianin. Ajo është fokusuar te puna në terren me çështjet e marketingut, duke ia lënë përgjegjësinë teknike të skuadrës kolegut të saj Galliani.