400 mijë euro borxh nga banorët serb po pretendohet të ketë qenë arsyeja përse fshati Uglar në komunën e Graçanicës është shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit. Banorët shqiptarë që jetojnë në këtë fshat po thonë se janë bërë viktima për shkak të banorëve serb duke u shkyçur edhe ata nga rrjeti i pijshëm pavarësisht se i kanë kryer obligimet ndaj ‘Ujësjellësit.
Agim Jashari banor i fshatit Uglar që është me shumicë serbe thotë se ai dhe familjet e tjera shqiptare që paguajnë ujin janë bërë viktima të shkyçjes së Ujësjellësit në këtë fshat. Ai po pretendon se Ujësjellësi ka bërë shkyçje kolektive duke përfshirë edhe banorët që e paguajnë ujin.
“Para 8 dite komplet lagjja shqiptare që furnizohet me ujë nga gypi i lagjes Uglar kemi mbet pa ujë. Në fillim kemi menduar që është ndonjë reduktim por më vonë kam marrë informata tek ujësjellësi në Fushë Kosovë dhe ai në Graçanicë se jemi shkyçur për shkak të borxhit të serbëve”, ka thënë Jashari për Insajderin.
Por kjo situatë po mohohet nga Arjeta Mjeku zëdhënëse e Ujësjellësit Rajonal Prishtina. Ajo ka thënë për Insajderin se ky fshat i ka mbi 400 mijë euro borxh, por që ende nuk ka ndodh shkyçja.
Mjeku thotë se arsyeja përse banorët nuk kanë ujë është për shkak të një prishje të madhe të cilin ende nuk kanë arritur ta rregullojnë.
“Fshati Uglar ka një borxh prej 400 mijë euro dhe nuk janë shkyçur ende nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit. Dhe mungesa e ujit të pijshëm nuk ka të bëjë me shkyçjen, por që nuk do të thotë se nuk do të shkyçen në të ardhmen e afërm, mirëpo tash për tash nuk i kemi shkyçur, por ka një prishje të madhe në afërsi të fshatit Uglar dhe ka pas humbje të mëdha të ujit të pijshëm derisa ta zgjedhim problemin e ujit”, ka thënë Mjeku për Inasjderin.
Mjeko po ashtu thotë se ky problem i banorëve me ujë ka ndodhë që nga e diela.
Fshati Ulgar është në afërsi të Fushë Kosovës por që i takon komunës së Graqanicës. Shumica e banorëve të këtij fshati i takojnë komunitetit serb ndërsa është e banuar edhe me shqiptarë./Insajderi.com