Banoret e Uglarit të Graçanicës kanë borxhe mbi 400 mijë euro borxhe KRU “Prishtina” për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit.
KRU ”Prishtina” e ka nisur vitin 2018 me moton ” Të gjithë në aksion”.
Duke filluar nga muaji janar 2018, kjo kompani ka nisur një aksion që ka të bëjë me ndëshkimet ndaj konsumatorëve borxhlinj.
Si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera.
Me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Për këtë aksion, KRU “Prishtina” ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU ” Prishtina” si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
Brenda dy muajve janë aplikuar mbi 350 shkyçje individuale nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 1500 konsumatorë borxhlinj dhe mbi 600 lëndë janë dërguar te përmbaruesit privat.
Paralelisht me aksionin e shkyçjeve, KRU ”Prishtina”, nga dita e premte, 9 mars 2018, ka nisur edhe takime me konsumatorë të fshatrave dhe qyteteve që kanë borxhe të mëdha ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Menaxheri i Departamentit për Konsumatorë në kuadër të Ujësjellësit të Prishtinës Kapllan Parduzi me zyrtarë të tjerë, përfaqësues të ARRU-së dhe nënkryetari i Komunës së Graçanicës Sasha Daniç gjatë ditës së premte, u takuan me konsumatorë të fshatit Uglar.
Qëllimi i këtij takimi ishte, dëgjimet dhe arsyeshmëritë nga ana e konsumatorëve për mospagesa , borxhet e mëdha, ofrimi i shërbimeve të tjera të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit si, infrastruktura e rrjetit , leximi i ujëmatësve, instalimi i tyre në secilin objekt privat, furnizimi me ujë të pijshëm etj.
Pas diskutimeve të njëpasnjëshme, u arrit marrëveshje që secili konsumatorë i këtij fshati t’i vendosë ujëmatësit veç e veç, derisa KRU ”Prishtina” u premtoj atyre ofrime të rregullta të shërbimeve, përfshirë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm dhe lexim të rregullt të ujëmatësve pas instalimit nga ana e tyre , duke kërkuar nga ata pagesa të rregullta të shërbimeve. Takime të tilla me qytetarë / konsumatorë borxhlinj do të mbahen në vazhdimësi, derisa aksioni i shkyçjeve po vazhdon edhe sot./rtklive/